12:49 / E Premte, 24 Shtator 2021 / A K

Pesë alpinistë vdesin nga stuhia në majën më të lartë në Evropë në -20 gradë

Pesë alpinistë kanë vdekur, pasi u zunë në një stuhi bore në majën më të lartë në Evropë, Elbrus, në Rusi, afër kufirit me Gjeorgjinë.

Vdekja e pesë alpinistëve u konfirmua nga Ministria Rajonale e Emergjencave e Rusisë, e cila tha se 14 anëtarë të tjerë të grupit janë shpëtuar në kohën kur po mbretëronte mot me erë të fuqishme, dukshmëri të vogël dhe temperaturë -20 gradë.

Alpinistët bënë një thirrje për ndihmë pas orës 5 të pasdites së të enjtes, kur ishin në një lartësi prej rreth 4.800 metrave, shkruan Independent.

Nga personat e shpëtuar, njëmbëdhjetë prej tyre u dërguan në spital me lëndime. Denis Alimov, i cili ofroi ndihmë për organizimin e ngjitjes, i tregoi agjencisë TASS për tmerrin e përjetuar nga grupi.

Gjatë ngjitjes, një grua nuk u ndie mirë dhe u kthye bashkë me njërin nga udhërrëfyesit, tha Alimov, por vdiq më vonë në duart e tij.

Grupi tha se dy anëtarë vdiqën nga të ftohtit, ndërsa dy të tjerë e humbën vetëdijen dhe vdiqën përderisa po silleshin poshtë malit, raportoi agjencia AFP.