75 Mall Live Search
08:46 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / MSH

Pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Pesë kadetë nga Kosova, që do të vijojnë shërbimin si oficerë në FSK, kanë diplomuar me sukses në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.

Ceremonia zyrtare e diplomimit u mbajt dje, ku pjesëmarrës ishte edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shkruan IndeksOnline.

“Me mbështetjen e ministrit Pirro Vengu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Arben Kingji, është bërë e mundur që për vitin e ardhshëm të katërfishohet numri i kadetëve nga Kosova që do të ndjekin studimet në këtë akademi prestigjioze”, deklaron ministria.

Ky është njoftimi i plotë:

Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të diplomimit të kadetëve në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në këtë gjeneratë diplomuan me sukses edhe pesë kadetë nga Kosova, të cilët do të vazhdojnë shërbimin e tyre si oficerë në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri Maqedonci falënderoi homologun e tij, z.Vengu, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional.

Me mbështetjen e ministrit Pirro Vengu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Arben Kingji, është bërë e mundur që për vitin e ardhshëm të katërfishohet numri i kadetëve nga Kosova që do të ndjekin studimet në këtë akademi prestigjioze.