Pesë kryetarë komunash vizitojnë Parlamentin Evropian, i pret zv. Presidenti Wieland
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot, bashkë edhe me kryetarin Përparim Ramën, Gazmend Muhaxherin, Bali Muharremin dhe Bashkim Ramosajn, kanë vizituar Parlamentin Evropian, ku i priti zv. Presidenti i Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland.
Kosova ka në Parlamentin Evropian një mik e përfaqësues të zërit të shtetit tonë në PE, “Qytetarin e Nderit” të komunës së Drenasit, z.Wieland, faleminderit, ka deklaruar Lladrovci.
Postimi i tij në rrjetin social:
Sot, me Përparimin, Gazmendin, Baliun, Bashkimin, Imerin dhe miqtë tjerë, kemi vizituar Parlamentin Evropian në Strasburg, ku na priti Rainer Wieland, nënkryetar i këtij institucioni madhor të Bashkimit Evropian.
Bashkëbisedimi kishte të bënte me funksionet e pushtetit lokal, përgjegjësitë e caktuara në shtetet e ndryshme, përvojat më të mira dhe rëndësia e bashkëpunimit me nivelin qendror.
Zhvillimi i Gjermanisë, në veçanti Baden-Württemberg, u tha në takim, duhet t’i falënderohet fuqisë dhe kompetencave të mëdha të pushtetit lokal.
Po ashtu, nga “Qytetar Nderi” i Drenasit, u njohëm me vendimmarrjen në PE, funksionet e kompetencat e Komisioneve, buxheti, stafi, përkthimi, mediet dhe bashkëpunimi.
Në këtë takim, janë ftuar edhe homologët tanë nga komunat tjera, por, për arsye të ndryshme, nuk kanë ardhur.
Z. Wieland është mbi 25 vjet anëtar i këtij parlamenti, mik i dëshmuar i Kosovës me dekada, edhe sot, ai shpreh përkushtimin e plotë për ta ndihmuar Kosovën, komunat e Kosovës pa dallim dhe promovimin e vlerave të shtetit që po ndërtojmë.
Kosova ka në Parlamentin Evropian një mik e përfaqësues të zërit të shtetit tonë në PE, “Qytetarin e Nderit” të komunës së Drenasit, z.Wieland, faleminderit!