16:14 / E Diele, 17 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Pesë partitë e Hydajet Hysenit

Hydajet Hyseni po e udhëheq organin më të lartë në Partinë e Albin Kurtit, Këshillin e Përgjithshëm. Ish-deputeti i PDK’së kaloi në Vetëvendosje pasi prishi punët me Hashim Thaçin. Por, PDK e VV nuk janë partitë e vetme të Hysenit. Ai ka ndërruar pesë të tilla.

Hydajet Hyseni, njëri prej njerëzve kryesorë, sot, në Lëvizjen Vetëvendosje, ka shëtitur në pesë parti të ndryshme, gjatë karrierës së tij politike.

Si ish-i burgosur politik, Hyseni fillimisht kishte qenë themelues i Organizatës Marksiste-Leniniste bashkë me disa zyrtarë tjerë aktualë në VV e PDK.

Kur ishte themeluar LDK, Hyseni, bashkë me një pjesë të kolegëve të tij, gjithashtu ish-të burgosur, kishin hyrë në LDK, porse ishin larguar pasi Ibrahim Rugova ishte distancuar prej tyre, edhe me ndihmën e ndërkombëtareve.

Hyseni kishte vazhduar karrierën politike në Lëvizjen për Bashkim Demokratik të Rexhep Qosjes, duke mbajtur pozitën e nënkryetarit.

Pasluftës, Hyseni pati hyrë në PDK, duke marrë pozitën e anëtarit të Kryesisë. Me këtë parti ai u bë edhe deputet.

Por, pasi ishte prishur me Hashim Thaçin, Hyseni kishte vendosur të hynte në Partinë e Albin Kurtit. Edhe kjo parti i ka dhënë pozitë të rëndësishme, duke e bërë Kryetar të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.