Pesë raste armëmbajtjeje pa leje, sekuestrohen 5 armë dhe dhjetëra fishekë brenda 24-orëve në Kosovë

Gjatë natës dhe mbrëmjes së 9 gushtit, Policia e Kosovës ka trajtuar pesë raste të ndara të armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armëve të zjarrit në disa qytete të vendit.
Gjatë këtyre rasteve janë sekuestruar 5 armë zjarri, 5 karikatorë, si dhe 65 fishekë dhe disa gëzhoja.
Në Mitrovicë, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi që gjatë një kontrolli tek ai është gjetur dhe sekuestruar një armë me një karikator dhe shtatë fishekë. Rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Në Vushtrri, një tjetër person është shoqëruar nga policia pasi që në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë me gaz, një karikator, tri gëzhoja dhe nëntëmbëdhjetë fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Edhe në Gllogoc, një person është shoqëruar në stacionin policor për të njëjtën arsye – shtënia me armë zjarri në një aheng familjar. I dyshuari ka dorëzuar armën e zjarrit së bashku me katër gëzhoja dhe një fishek. Edhe ky rast është trajtuar në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë, një mashkull është arrestuar pasi kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Nga ai është sekuestruar një armë me gaz me një karikator, dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në Prishtinë, njësitet policore gjatë një pike kontrolli kanë ndaluar një veturë me targa lokale. Gjatë kontrollit, tek shoferi i dyshuar është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe nëntëmbëdhjetë fishekë. Me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në mënyrë të rregullt.
Të gjitha rastet janë trajtuar nga njësitet policore përkatëse dhe me vendim të prokurorëve janë proceduar në mënyrë të rregullt./IndeksOnline/