Pesë raste dhune në familje brenda një dite në rajonin e Prishtinës

Rajoni i Prishtinës është përballur me pesë raste të dhunës në familje brenda 24-orëve të fundit, përfshirë sulme fizike, kërcënime dhe dhunë psikike. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, incidentet kanë ndodhur në qytetin e Prishtinës dhe në Graçanicë, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe një tjetër është në arrati, transmeton IndeksOnline.
Në Prishtinë, një burrë është arrestuar në orët e mëngjesit pasi ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka marrë trajtim mjekësor. Po ashtu, në një tjetër rast të ndodhur pasdite, një burrë është arrestuar pasi kishte fyer dhe sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje.
Një tjetër incident i dhunshëm u raportua të dielën në mbrëmje, kur pas një përplasjeje verbale e fizike, një grua dhe një burrë janë përleshur mes vete. Rasti është dërguar në procedurë të rregullt.
Më vonë, rreth orës 22:45, një grua u kanos dhe u fye nga një burrë, ndërsa më pas edhe ky i fundit u godit nga një femër tjetër. Të gjithë të përfshirët në këtë rast kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Graçanicë, është raportuar një rast i dhunës psikike brenda familjes, ku një burrë ka ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një familjari të tij. I dyshuari gjendet ende në arrati dhe rasti është në procedurë hetimore.
Policia e Kosovës vazhdon hetimet për secilin rast, ndërkohë që bën apel për parandalimin dhe raportimin e dhunës në familje./IndeksOnline/