23:57 / E Diele, 16 Qershor 2019

Pesë skuadrat e përjashtuara nga garat evropiane, tri nga Ballkani

Qeveria e futbollit europian, pak ditë para hedhjes së shortit, ka publikuar klubet që kanë probleme dhe që nuk lejohen të marrin pjesë këtë edicion në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës.

Lista kryesohet nga Skënderbeu, që është dënuar me 10 vite përjashtim nga UEFA.

Duhet të merrte pjesë në raundin e parë të Ligës së Europës si ekip i katërt i Kategorisë Superiore, por i ndalohet pjesëmarrja. Vendin e Skënderbeut e merr Laçi, pasi edhe skuadra e pestë e Superiores, Flamurtari, nuk arriti të marrë një licencë”, citohet në sqarimin për ekipet shqiptare.

Nga ana tjetër, në Belgjikë është KV Meshelen, që iu ndalua e drejta e pjesëmarrjes, edhe pse u kualifikua për në fazën e grupeve të Ligës së Europës si fitues i Kupës së Belgjikës. Meshelen u bë pjesë e skandalit belg të trukimeve dhe u dënua nga federata.

Ndërsa në Bosnje, UEFA ka penalizuar klubin e njohur Zeljezniçar, që fitoi të drejtën për të qenë pjesë e turit të parë të Ligës së Europës. Për shkak të borxheve që kishte dhe refuzimit të licencimit, Zeljezniçar dështoi dhe do të marrë pjesë klubi i renditur në vendin e pestë të kampionatit boshnjak, Radnik Bijeljina.

Në Maqedoninë fqinje për këtë edicion u penalizua Vardari, që duhet të merrte pjesë në Ligën e Europës. Në vend të ekipit rekordmen u fut Makedonija GP.

Vardari nuk plotësonte kriterin financiar, për më tepër që kishte detyrime të mbartura në shuma të mëdha.

Një penalizim ka marrë edhe klubi irlandez, Uaterford, por në ndryshim nga të tjerët, ky ekip nuk u lejua të marrë pjesë në Ligën e Europës, sepse nuk plotësonte afatin kohor të licencimit (është themeluar në 2016-ën).