23:35 / E Hënë, 07 Gusht 2023 / MSH

Pesë të vrarë dhe 31 të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Dy sulme ajrore ruse e kanë goditur qendrën e qytetit ukrainas, Pokrovsk, në lindje të Donetskut të hënën, duke i vrarë pesë persona dhe duke i plagosur të paktën 31 të tjerë, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Në sulmin e parë, i cili e kishte për cak pjesën ukrainase të një rajoni të okupuar pjesërisht nga Rusia, u vranë katër civilë, ndërsa në tjetrin mbeti i vdekur nënkryetari i degës rajonale të Shërbimit Emergjent Shtetëror të Ukrainës, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, shkruan REL.

Të paktën 31 njerëz – përfshirë 19 policë, pesë shpëtimtarë dhe një fëmijë – u plagosën gjatë sulmeve, thanë zyrtarët.

Nga këto sulme u dëmtuan një hotel, ndërtesat e banimit dhe struktura të tjera civile, tha guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë në një komunikatë për media online se po përpiqet të mos lërë asgjë pos “gurë të copëtuar e djegur” në lindje të Ukrainës. Komentet e tij u shoqëruan nga pamje nga dëmtimi i një ndërtese pesëkatëshe banimi, e cila kishte një kat të rrënuar praktikisht.

Sulmi vdekjeprurës vjen vetëm një ditë pasi zyrtarët nga rreth 40 vende të botës u mblodhën në Arabinë Saudite për ta gjetur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë.