Pesë vjet burgim dhe gjobë ndaj të ekstraduarit nga Zvicra për grabitjen para tetë vjetësh në Pejë

Në Gjykatën e Pejës ka marrë epilog me aktgjykim dënues, procesi gjyqësor i filluar në korrik të vitit 2021, ndaj të pandehurit Ilir Isufi, i cili ngarkohet për grabitje të ndodhur para më shumë se 8 viteve në Pejë.
Gjykata e Pejës i ka shqiptuar me 5 vite burgim dhe 1500 euro gjobë, të pandehurit Isufi, i cili ngarkohej për grabitje me armë së bashku me të dënuarit Xhavit Dashiq dhe Xhavit Berisha.
Në lidhje me këtë aktakuzë, ishte zhvilluar një proces i ndarë gjyqësor ndaj të dënuarve Xhevat Dasiq dhe Xhavit Berisha derisa i akuzuari Ilir Isufi ishte në kërkim nga organet e drejtësisë dhe më pas ishte arrestuar dhe ekstraduar nga Zvicra.
Isufi ngarkohet se në grup dhe me armë me të dënuarit Berisha dhe Dasiq, më 2013 kishin grabitur bastoren dhe plagosur pronarin Izet Hosniq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga Sami Sharraxhiu, i pandehuri Isufi dënimin me burgim prej 5 viteve do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, ndërsa të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit derisa aktgjykimit të bëhet i formës së prerë, mirëpo jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Dënimi me gjobë prej 1500 eurove, detyrohet të paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, ku në rast të pamundësisë të pagesë, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burgim.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.
Në këtë seancë ishte i pranishëm mbrojtësja e të pandehurit, Majlinda Kollqaku dhe të dëmtuarit Izet Hosniq dhe Gazmend Shaqiri, ndërsa i pandehuri Isufi ka refuzuar të vinte në shpalljen e aktgjykimit.
Ndryshe, më 30 korrik 2021, pas arrestimit dhe ekstradimit në maj të këtij viti nga Zvicra në Kosovë përmes letër-rreshtimit ndërkombëtar, Ilir Isufi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 14 korrik 2021, i akuzuari Ilir Isufi ngarkohet se më 29 dhjetor 2013 në grup dhe me armë me të dënuarit tjerë, Xhavit Berisha dhe Xhevat Dasiq, kishin sulmuar jetën e të dëmtuarve Izet Honsiq dhe Gazmend Shaqirit, për qëllime përfitimi.
Në lidhje me këtë aktakuzë, ishte zhvilluar një proces gjyqësor ndaj të dënuarve Xhevat Dasiq dhe Xhavit Berisha, derisa i akuzuari Ilir Isufi ishte në kërkim nga organet e drejtësisë.
Dasiq ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, kurse Xhavit Berisha me 4 vite burgim dhe 500 euro gjobë nga Gjykata e Pejës, vendim ky i vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Aktakuza përshkruan se i akuzuari kishte përcjellur tri netë të dëmtuarin Honsiq duke qëndruar në bastore të tij dhe kur e kishte kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituar gjatë lojës së klientëve në bastore, kishte njoftuar dy të dënuarit tjerë Xhavit dhe Xhevatin për të kryer grabitjen.
Sipas aktakuzës në orën 2 të mëngjesit të 29 dhjetorit 2013, i pandehuri Ilir del së bashku me klientët tjerë që kanë qenë duke luajtur bastore dhe pasi kollitet, dy të dënuarit Xhavit dhe Xhevat hyjnë në lokal të maskuar duke kërkuar para.
Tutje, aktakuza thotë se i dënuari Xhevat Dasiq shtie në drejtim të dëmtuarit Izet, kurse i dëmtuari tjetër Shaqiri largohet duke u fshehur në bodrum, ndërsa pasi i dëmtuari Izet rrëzohet i dënuari tjetër Xhavit Berisha ia merr të hollat, kurse pas rezistencës së të dëmtuarit, i dënuari Xhevat shtie prapë me armë të dëmtuarin duke e plagosur në kukën e këmbës së djathtë.
Aktakuza përshkruan se dy të dënuarit kishin marrë shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari dhe i kishin ndarë në pjesë të barabarta me të pandehurin Ilir.
Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Grabitjes” nga neni 329, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, për të cilën vepër sipas Kodit Penal parashikohet dënimi me gjobë dhe prej 7 deri 15 vite burgim. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.