75 Mall Live Search
14:56 / E Mërkurë, 20 Korrik 2022 / kutia

Peter Beyer ia thotë në sy Vuçiqit se Serbia duhet të njoh Kosovën

Zyrtarë të lartë nga Gjermania në raste të shpeshta po japin deklarata të prera lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian.

E së fundi për këtë çështje ka folur edhe eurodeputeti gjerman, Peter Beyer, i cili dërgoi mesazhin e qartë në Beograd se Bashkimi Evropian nuk pranon shtete që kanë çështje të pazgjidhura kufitare apo territoriale.

Prandaj, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën.

“Nuk mund të ketë çështje të pazgjidhura kufitare apo territoriale brenda BE-së”, tha ai në një konferencë në Beograd.

Beyer, i cili në Bundestag është edhe raportues i partisë së tij, CDU, për Ballkanin Perëndimor, do të përpilojë një raport për rajonin pas kthimit të tij në Berlin.

Beyer foli edhe për qasjen e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor, duke thënë se pret nga udhëheqësit e vendit të tij të ofrojnë përmbajtje.

“Nuk e kam të qartë se si do të pozicionohet qeveria e re në lidhje me procesin e anëtarësimit, apo çështjen Serbi-Kosovë. Unë shoh që kancelari dhe shefja e diplomacisë udhëtojnë shumë në rajon, por tani duhet të shohim se çfarë përmbajtje do të ofrojnë”, theksoi ai.

Ai po ashtu tha se nisma Ballkani i Hapur duhet të funksionojë si pjesë e procesit të Berlinit.

“Unë mendoj se është e mençur që kjo nismë, nëse zbatohet në mënyrë korrekte dhe transparente, të vazhdojë si pjesë e procesit të Berlinit”, tha Beyer.