13:36 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / mp

Petkoviç,situata në Hoçë të Madhe e tensionuar

Petar Petkoviç, drejtori i ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes Twitter ka njoftuar se situata në Hoçë të Madhe është e tensionuar.

 “Situata në Hoçë të Madhe është ende e tensionuar! I telefonova pronarit të kantinës Petroviq, i cili më njoftoi se për një orë Rosu vjen me një cisternë për të konfiskuar 42 mijë litra verë!

 Policia e Kurtit nuk ka dashur zgjidhje paqësore me pronarin as mëngjesin e sotëm. Është e qartë se Kurti kërkon incidente!”.

 

Ndryshe pjesëtarë nga  Dogana e Kosovës kanë mbërritur me një cisternë në Hoçë të Madhe, për të konfiskuar më shumë se 40 mijë litra verë nga Veraria Petroviq, transmeton Radio Kim.

Djali i pronarit të kantinës së përmendur, M. P., ka kërcënuar se do të hidhej nga çatia e këtij objekti, por pas kërkesës së familjes dhe të grumbulluarve, ai hoqi dorë. Negociatat mes pronarit Srgjan Petroviq dhe pjesëtarëve të Doganës dhe Policisë së Kosovës janë duke vazhduar. Petroviq aktualisht po përpiqet të arrijë marrëveshje dhe të shlyejë borxhet e tij aktuale, të cilat sipas Doganës së Kosovës arrijnë në rreth 38 mijë euro. Në Hoçën e Madhe janë mbledhur një numër i madh vendasish, të cilët kundërshtojnë konfiskimin e verës së prodhuar në vend.