75 Mall Live Search
12:34 / E Shtunë, 14 Mars 2026 / A

Petkoviqi konfirmon marrëveshjen: Serbët mund të marrin frymë lirshëm

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për Ligjin për të Huajt do të mundësojë funksionimin normal dhe të pandërprerë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.

“Kam thirrur këtë konferencë të jashtëzakonshme për të njoftuar se kemi arritur një zgjidhje që do të mundësojë funksionimin normal dhe të qetë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë. Për këtë zgjidhje kemi punuar ditë e javë me Bashkimi Evropian”, ka thënë Petkoviq, duke lavdëruar angazhimin e përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Ai ka thënë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me serbët në terren dhe me punonjësit e institucioneve serbe, rektorët, dekanët, drejtorët e spitaleve dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, “sepse kjo çështje nuk është thjesht administrative ose teknike, por mbi të gjitha një pyetje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

“E shmangëm skenarin më të keq të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vjetësh. Ne ndaluam mbylljen e institucioneve tona, që populli ynë të mund të vazhdojë të studiojë, të mësojë, të marrë trajtim shëndetësor dhe të shkojë në punë. Kemi shpëtuar QKUK-në në Mitrovicë, qendrat shëndetësore në Graçanicë dhe Pasjan, të gjitha qendrat shëndetësore, institucionet arsimore, një universitet me dhjetë fakultete dhe një akademi”, u shpreh Petkoviq.

Ai theksoi se ky është lajm shumë i mirë dhe i rëndësishëm për serbët në Kosovë.

“Serbët mund të marrin frymë lirshëm. E hëna do të jetë një ditë pune normale”, theksoi ai.

Petkoviqi gjithashtu sqaroi se zgjidhja parashikon që 10 kryetarë komunash serbe të përpilojnë një listë të punonjësve në të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore, përfshirë universitetin dhe studentët, bazuar në të cilat do të lëshohen lejet e punës dhe të qëndrimit për serbët e punësuar në këto institucione.

Lejet e përkohshme për këto kategori do të lëshohen për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, siç ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai shtoi se në këto lista do të përfshihen vetëm të dhëna personale, që do të thotë se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e serbëve, pasi Policia e Kosovës tashmë i ka të gjitha këto të dhëna.