Pezullimi i lejes për autobusët e Shqipërisë, Lekaj tregon arsyen
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit i ka pezulluar lejen për kalim tranzit autobusëve nga Shqipëria, përcjellë Indeksonline.
E kjo ka bërë që dhjetëra udhëtarë shqiptarë që udhëtonin nga Tropoja në drejtim të Tiranës të jenë të bllokuar për disa orë në pikën e kalimit kufitar të Morinës.
Lidhur me këtë vendim, Indeksonline ka kontaktuar me ministrin Pal Lekaj.
Ai ka thënë se kjo leje është pezulluar për shkak të keqpërdorimeve nga autobusët, për të cilët theksoi se përkundër se është dashur vetëm të kalojnë tranzit nëpër Kosovë, ata janë ndalur nëpër stacione dhe kanë marrë udhëtarë.
“Operatorët nga Shqipëria kanë poseduar leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për kalim nëpër territorin e Kosovës vetëm tranzit. Por kjo leje është keqpërdorur në vazhdimësi, autobusët kanë ndaluar edhe në stacionet e Kosovës për të marrë udhëtarë, prandaj departamenti përkatës në MTI, ka pezulluar këtë leje. Pezullimi do të vazhdojë deri në takim të komisioneve teknike nga të dyja shtete për shqyrtim”, tha Lekaj për Indeksonline.