13:57 / E Martë, 29 Gusht 2023 / AR

Pezullimi i vizave do të ishte akt ekstrem, jemi larg këtij skenari

Pezullimi i liberalizimit të vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme. Për shembull Rusisë iu pezullua vetëm pasi që pushtoj Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoj me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE.

Çfarë dua të them është se standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë. Ne sot jemi shumë larg këtij standardi.

Nga ana tjetër Presidenti Macron nuk ka thënë asgjë të re. Konteksti i fjalimit të tij ka të bëjë me sigurinë e Ballkanit. Ky ishte fjalimi vjetor para ambasadorëve francez në botë dhe fjalimi ishte fokusuar në pikat neurologjike të botës. Rrjedhimisht ai aty flet 10 sekonda për Ballkanin dhe vetëm në kuptimin e gjësë më të rëndësishme: sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Prandaj ai paralajmëron se në raste ekstreme të kërcënimit të sigurisë në Ballkan, patjetër që edhe liberalizimi i vizave mund të pezullohet. Kjo nuk është risi.

Por ne sot jemi shumë larg këtij skenari, prandaj përderisa plotësisht mirëkuptoj ankthin që kemi nga kjo puna e vizave duhet të flemë qetë duke ditur se asgjë në BE nuk ka ndryshuar sa i përket kësaj çështje.

Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike.