21:26 / E Enjte, 18 Korrik 2019 / indeksADMonline

Philip Reeker: Nuk jemi krenarë me shqiptarët javët e fundit

Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker e thotë troç se Uashingtoni nuk ndihet krenar me shqiptarët për shkak të krizës së fundit politike. Gjatë një forumi të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, Reeker u pyet nga ‘Zëri i Amerikës’ edhe për Shqipërinë.

Ai kërkon nga klasa politike që të punojë brenda institucioneve dhe nëse këto të fundit nuk funksionojnë siç duhet, atëherë ndryshimi i tyre mund të bëhet vetëm nëpërmjet mjeteve kushtetuese.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh Parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetutese që keni”, ka deklaruar zyrtari amerikan.

Edhe sa i përket konfliktit Kosovë-Serbi, Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, por theksoi se palët nuk duhet të presin nga të tjerët që të vendosin për ta.