Pika e dobët e NATO-s, ishulli i Estonisë nga ku Rusia mund të sulmojë Europën

Zyrtarët e Pentagonit u ulën me një grup diplomatësh evropianë në fund të gushtit dhe dhanë një mesazh të ashpër: SHBA-të planifikonin të ndërprisnin një pjesë të ndihmës së sigurisë për Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë, të gjitha anëtarë të NATO-s që kufizohen me Rusinë.
Në përgjithësi, zyrtari i Pentagonit David Baker i tha grupit, sipas një zyrtari me njohuri të drejtpërdrejtë të komenteve, se Evropa duhej të ishte më pak e varur nga SHBA-të. Nën Presidentin Donald Trump, ushtria amerikane do ta zhvendoste vëmendjen e saj në përparësi të tjera, si mbrojtja e atdheut, shkruan A2 CNN.
Rëndësia strategjike e Hiiumaa-s është shumë pak e njohur për pulbikun apo dhe për perëndimin. Vendndodhja e ishullit midis Gjirit të Rigës dhe hyrjes në Gjirin e Finlandës po u shkakton dhimbje koke planifikuesve të NATO-s. Hiiumaa është diçka si Hendeku Suwalki në tokë në Detin Baltik. Rripi i ngushtë midis Bjellorusisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit, i emëruar sipas qytetit polak Suëalki që ndodhet atje, konsiderohet nga shumë si pika e dobët e NATO-s. Në rast lufte, forcat ruse mund të ndërpresin furnizimet për të gjithë rajonin e Balltikut vetëm brenda pak orësh duke përparuar nëpër këtë pikë.
Hiiumaa mund të luajë një rol të ngjashëm në një skenar të mundshëm konflikti midis NATO-s dhe Rusisë. Ekspertët kanë frikë se njësitë ruse mund të zbarkojnë në Hiiumaa që në fillim të luftës, si një taktikë surprizë. Rusët më pas mund të instalojnë një sistem radarësh dhe sisteme mbrojtjeje ajrore në ishull.
Objekte të tilla ndodhen tashmë në Distriktin Ushtarak Perëndimor të Rusisë dhe në Kaliningrad, por ato nuk e mbulojnë të gjithë Detin Baltik në asnjë mënyrë. Duke pushtuar Hiiumaa-n, ushtria ruse mund të bllokojë rrugën detare që lidh shtetet baltike të Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe madje edhe Finlandës, me pjesën tjetër të territorit të NATO-s, shkruan A2 CNN.
Nervozizmi në Estoni është rritur prej muajsh. Avionët luftarakë rusë kanë shkelur tashmë katër herë hapësirën ajrore të vendit të vogël këtë vit. Të premten, tre avionë luftarakë MIG-31 hynë ilegalisht në hapësirën ajrore pranë ishullit Vaindloo në Detin Baltik dhe qëndruan atje për gjithsej dymbëdhjetë minuta, raportoi ushtria estoneze në Talin. Estonia, Letonia dhe Lituania nuk kanë avionët e tyre luftarakë. Prandaj, aleatët e NATO-s sigurojnë me radhë hapësirën ajrore të Baltikut.
Kushdo që udhëton në veri nga porti në lindje do ta kuptojë menjëherë se sa i dendur është pylli i Hiiumaa-s. Më shumë se gjysma e territorit të ishullit është e mbuluar me pisha dhe bredha, me disa zona moçalore. Në kryeqytetin e ishullit, Kärdla, me 3,000 banorët e tij, njerëzit e sigurojnë jetesën kryesisht nga industria e drurit dhe peshkimi. Ekziston gjithashtu një bazë e Forcave Mbrojtëse Estoneze, ku në krye është Majori Tamel Kapper.