Pika kontrolli dhe mesazhe për banorët, këta hapa po ndërmerr Irani
Irani po ndërmerr hapa për të parandaluar protestat anti-establishment, me pika kontrolli që shfaqen nëpër rrugët e kryeqytetit, qasje të kufizuar në internet dhe paralajmërime masive me mesazhe u dërgohen banorëve, raporton A2CNN-i.
Në Teheran, njerëzit i kanë treguar BBC Persian-it se janë vendosur pika të reja të kontrollit të sigurisë përreth qytetit, ku thonë se banorët ndalohen dhe kontrollohen.
Sipas banorëve pikat e kontrollit janë të pozicionuara nën ura këmbësorësh dhe brenda tuneleve rrugore. Më herët ka patur raportime se disa pika kontrolli në mes të rrugëve ishin shënjestruar nga sulmet me dronë.
Një numër i personelit iranian të sigurisë u vranë në sulmet izraelite në katër pika kontrolli në të gjithë Teheranin, raportoi Agjencia e Lajmeve Fars e linjës së ashpër më 11 mars. Vendësit tregojnë gjithashtu se ndërprerjet e internetit kanë bërë që disa prej banorëve të përdorin pajisjet Starlink të SpaceX.
Kufizimi i aksesit në internet jo vetëm që kufizon komunikimin me botën e jashtme, por gjithashtu kufizon aftësinë e protestuesve për t’u mobilizuar, planifikuar dhe komunikuar me njëri-tjetrin. Aplikacionet dhe platformat e mesazheve të koduara shpesh funksionojnë si mjete për organizimin e tubimeve, ndarjen e vendeve të protestave dhe qarkullimin e thirrjeve për veprim.

