“Pilotët përdorën harta letre”, rusët fikën GPS-në e avionit të presidentes së Komisionit Europian

Frikë në lartësi për presidenten e Komisionit Europian.
“Financial Times” raporton për një sulm të mundshëm të Rusisë kundër Ursula von der Leyenit, duke i çaktivizuar shërbimet e navigimit GPS, avionit me të cilin ajo po fluturonte drejt Bullgarisë.
Sipas të dhënave, shkruan A2 CNN-i, ndërhyrja kibernetike ka detyruar pilotin e mjetit fluturues që të bënte një ulje në aeroportin bullgar duke përdorur harta prej letre.
“Financial Times”, shkruan se avionit, që transportonte presidenten Von der Leyen në Plovdiv të dielën pasdite, i ishin fikur sistemet e navigimit elektronik pasi i ishte afruar aeroportit të qytetit. Sipas 3 burimeve të ndryshme të cituara nga media prestigjoze, bëhet fjalë për një incident të konsideruar si një operacion të ndërhyrjes së Rusisë.
Një prej zyrtarëve i ka thënë “Financial Times”-it se piloti është detyruar që të bëjë një ulje manuale pasi qëndroi në ajër për një orë, duke u rrotulluar rreth e qark aeroportit në Plovdiv.
Autoritetet bullgare konfirmojnë se që prej shkurtit të vitit 2022 është vënë re një aktivitet në rritje të ndërhyrjeve në sistemet GPS.
“Këto ndërhyrje në sinjale shkaktojnë sfida të ndryshme operative për sistemet ajrore dhe tokësore”, shkruhet në një deklaratë të autoriteteve bullgare.
Ndërhyrja përmes “jamming dhe spoofing GPS”, që pamundëson qasjen në sistemin e navigimit satelitar, përdoret tradicionalisht nga shërbimet ushtarake dhe të inteligjencës për të mbrojtur zona të një rëndësie të veçantë. Por po përdoret gjithnjë e më shumë nga Rusia si një metodë për të shkaktuar telashe për jetën civile.