Piloti i Ferrarit pranon gabimin gjatë botërorit
Momenti që solli rrënimin e Ferrarit në Botërorit 2018 të Formula 1 ka qenë gara e Singaporit. I këtij mendimi është piloti gjerman i “kokëkuqes” Sebastian Vettel, që mendon se gara me drita e Singaporit shënoi dështimin e makinës italiane, që deri në ato moment po duelonte për titull bashkë me Mercedes, si në Botërorin për pilotë ashtu dhe në atë për konstruktorë.
“Nga ai moment deri në fund nuk kishim më ritmin për të dueluar me Mercedes për disa gara. Më pas, ndodhën edhe disa gjëra të tjera që nuk na ndihmuan dhe nuk arritëm të kapitalizojmë rezultatin tonë, për shkak të gabimeve që bëmë të gjithë së bashku. Shumë gabime bëra edhe unë, ndaj edhe unë jam fajtor për këtë dështim”, tha Vettel në një intervistë për “formula1.com”.
“Nuk duhet të shohim dështimin tonë të këtij sezoni vetëm në një moment, por në punën që kemi kryer në harkun kohor të të gjithë sezonit. Unë mendoj se ne i kishim shanset tona për t’ia dalë mbanë, por nuk i shfrytëzuam ato ashtu si duhet. Në fund të Botërorit nuk ishim mjaftueshëm të aftë për të dueluar dhe fituar”, u shpreh Vettel.