20:26 / E Diele, 29 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pilula 72 orëshe e urgjencës merret pa recetë mjeku, gjinekologët e kundërshtojnë

Në listën e barnave që jepen pa recetën e mjekut, listë e cila u miratua vetëm para pak ditësh nga qeveria, janë futur edhe pilulat e urgjencës, që përdoren nga femrat për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar.

Por, mjekët gjinekologë, të pyetur nga Farmacist33, thonë se përdorimi i kësaj pilule pa rekomandimin e mjekut ka pasoja te pacientet, pasi ajo nuk duhet përdorur më shumë se 3 apo katër herë në vit.
Këto pilula kanë në përbërjen e tyre hormone të cilat nuk lejojnë ngjizjen. Por, sipas gjinekologëve, kur ato përdoren disa herë pa rekomandimin e mjekut, dëmtojnë shëndetin riprodhues te femrat. Nga ana tjetër, këto pilula, thonë mjekët, janë shumë të mira përsa i përket uljes së numrit të aborteve. Ato pihen deri në 72 orë pas marrëdhënies seksuale, kur pacientet ndodhen para faktit të një shtatzënie të padëshiruar, por janë po aq të dëmshme nëse përdoren pa kriter.
Kështu në listën e barnave pa recetën e mjekut me 813 produkte që mund të lëshohen pa recetë këtë vit, mund të jepet nga farmacisti: norlevo, postinor dhe ella one.