Pioli flet para derbit ndaj Interit: Duhet të fitojmë për të treguar se jemi më të mirë

Nesër në stadiumin ”Giuseppe Meazza”, do të zhvillohet derbi më i madh në botë, mes Interit dhe Milanit.
Ndeshja është e vlefshme për javën e 21-të të Seria A, dhe nis nga ora 20:45, shkruan IndeksOnline.
Milan po kalon në një kriz të rezultateve në ndeshjet e fundit dhe do të kërkojnë të këndellën pikërisht ndaj rivaleve lokal.
Trajneri i kuqezinjëve, Stefano Pioli, në deklaratën e tij para derbit ka thënë se skuadra e tij duhet të fitojë ndeshjen, për të treguar se skuadra e tij është më e mirë se ajo e Interit.
“Jemi stërvitur shumë. Pas këtyre momenteve të vështira që kemi kaluar, nisëm punën me shumë vendosmëri dhe vëmendje. Derbi i nesërm është një mundësi e madhe dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta fituar. Në ndeshje të tilla të rëndësishme, episodet mund të vendosin ndeshjen dhe në finalen e Superkupës ne pësuam gola nga gabimet tona. E kemi studiuar dhe do të duhet të bëjmë më mirë nesër.
Interi ka arritur më mirë, ata kanë bërë më mirë vitin e kaluar edhe në kupa. Ne dolëm më mirë në ligë dhe ne ende kemi shansin të dëshmojmë se jemi më të mirë se ata.
Kritikat? Kritikat nuk janë të tepruara, janë të gjitha aty. Vetëm njerëzit mediokër nuk pranojnë gabime të caktuara, ne mund të bëjmë shumë më mirë dhe unë mund ta ndihmoj skuadrën në një mënyrë tjetër. U thashë lojtarëve sot se jam gjithnjë e më i bindur për këtë grup që kam. Milani im nuk ka përfunduar, por ne duhet ta vërtetojmë këtë”, ka deklaruar Pioli./IndeksOnline/