75 Mall Live Search
09:05 / E Enjte, 17 Dhjetor 2020 / C E

Pioli: Genoa na u mbyll pas, kishim mungesa

I zhgënjyer për barazimin e dytë radhazi. Trajneri i Milanit Stefano Pioli në analizën që i bëri sfidës ndaj Genoas e vuri theksin te fakti se skuadra e Maran i mbylli hapësirat ekipit të tij ndërsa edhe mungesat e shumta që kishte Milani u ndjenë shumë në këtë ndeshje.

Pioli  më tej nënvizoi se dy ndeshjet e radhës nuk përcaktojnë asgjë përsa i përket objektivit kryesor të Milanit në këtë sezon që vazhdon të jetë kualifikimi në Champions League.

“Ishte një ndeshje e komplikuar dhe e vështirë, pasi Genoa na i mbylli të gjithë hapësirat. Në pjesën e parë i patëm rastet për të kaluar në avantazh. Ishte një sfidë tepër e komplikuar, por u treguam të aftë në gjetjen e barazimit. Pësuam dy gola edhe ndaj Genoas, edhe pse nuk është se lejuam shumë hapësira, por po shtohen disi golat e pësuar. Fusha pati ndikimin e vet, ishte e vështirë të luaje një futboll cilësor. Kishim 6 lojtarë jashtë dhe është momenti për të shtrënguar dhëmbët”.

E ardhmja? Dy ndeshjet e radhës nuk do të tregojnë qëllimet tona. E dimë që ka shumë vite që ky klub nuk merr pjesë në Champions League, rikthimi aty është objektivi ynë. Po luajmë shumë ndeshje, sonte pashë një ekip bujar në fushë.

Tonali? Sandro është një mesfushor i kompletuar, por ndaj Genoas ishte e vështirë për të gjithë mesfushorët tanë. Sandro ka cilësinë dhe kualitetin për të organizuar lojën dhe për të kryer inkursione“, deklaroi Stefano Pioli.