23:49 / E Martë, 26 Janar 2021 / C E

Pioli: Ibra dhe Lukaku janë djem të rritur, u treguam bujarë ndaj Interit

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli gjykon se dalja me kartonin e kuq të sulmuesit të tij Zlatan Ibrahimoviç ndëshkoi ekipin, i cili mbeti me 10 vetë në pjesën e dytë dhe u eliminua nga Kupa e Italisë.

Tekniku kuqezi pranoi se te penalltia e fituar nga mesfushori i Interit, Nikolo Barela, skuadra u tregua naive.

Pavarësisht eliminimit, trajneri i “Djallit” mendon për kampionatin dhe 4 muajt e ardhshëm. Ai vlerëson se ekipi i tij ka potencial për të bërë më mirë në të ardhmen.

Përplasja Ibrahimoviç-Lukaku – Ndikoi te skuadra jone sepse shkaktoi ndëshkimin me kartonin e parë të verdhë dhe pastaj në pjesën e dytë erdhi i dyti. Janë të rritur dhe nëse thua disa gjëra në fushë, duhet t’i lësh mënjanë dhe të mendosh për çfarë do të vijë më tej.

Çfarë shkoi keq – U bë shumë e vështirë duke u treguar naivë te penalltia që shkaktuam. Por, mora përgjigje të rëndësishme nga ekipi. Nga kjo humbje jam i sigurt dhe i bindur për të ardhmen tonë

Stoli i Interit bëri diferencën – Diferenca erdhi sepse ishim me një lojtar më pak. Kur ishin 11 kundër 11, ndeshja ishte e hapur ndaj çdo rezultati dhe ne ishim në avantazh.

Dalja me karton të kuq të Ibrahimoviçit– Ishim bujarë sot. Ai u largua dhe loja jonë u ngadalësua”, përfundoi trajneri i Interit”, Stefano Pioli.