75 Mall Live Search
15:13 / E Shtunë, 26 Janar 2019 / indeksADMonline

Pjesa e tretë e hulumtimit, deputetëve dhe komandantëve që ju refuzua invaliditeti nga komisioni mjekësor

Jeton Sopa/ Indeksonline

Në zyret e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë trokitur njerëz të kategorive të ndryshme, për të aplikuar për pensione invalidore Më parë ata i nënshtroheshin komisionit mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit.

Në mesin e aplikantëve kishte pjestarë të Policisë së Kosovës, pjestarë të FSK-së, atashe ushtarak, zyrtarë të lartë shtetërorë e deri edhe deputetë dhe ish-Komandantë të Përgjithshëm të FSK-së.


Indeksonline ka mësuar se ish komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrati ka aplikuar për pension invalidor dhe i është nënshtruar komisionit mjekësor për ekzaminim. Komisioni e kishte rrëzuar z.Kastratin dhe pretendimet e tij se është invalid mbi 20%, aq sa është edhe kuota për ta përfituar pensionin invalidor.

Ne kemi kontaktuar përmes telefonit Kadri Kastrati i cili tash punon këshilltar i Kryetarit të Kuvendit , Kadri Veseli, dhe ai e ka pranuar një gjë të tillë. Kadri Kastrati thotë se e posedon certifikatën e invalidit të UCK-së.

“Po është e vërtet unë kam apliku vitin e kaluar por komisioni më ka rrëzu, unë veshin e majtë e kam dëmtu në luftë prej granatimeve dhe nuk dëgjoj dikun 70% me veshin e majtë. Komisioni e ka gjet arsyen me më rrëzu edhe më ka rrëzu ma nuk jam anku as kurgja. Mua në luftë më ka ndodhë kjo gjatë një gjuajtje me top 75 mm unë jam kan shumë afër topit ai ushtari ka gabu ka gjujt edhe ma ka dëmtu veshin”

Indeksonline mëson se për pension invalidor kishte aplikuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nait Hasani por edhe ai nuk e kishte kaluar shkallën 20%.
Indeksonline ka kontaktuar përmes telefonit me deputetin Nait Hasani dhe ai thotë se kishte aplikuar në fillim të vitit 2018.

“Unë kam aplikuar para 1 viti por nuk ma ka njoftë të drejtën komisioni mjeksorë, ma ka njoftë 12.8 por jo 20% unë kam ba edhe ankesë në shkallë të dytë ma kanë refuzu edhe ankesën, unë kam plangë në trup nga burgu i Dubravës dhe i kam dërgu me dokumente e me të gjitha por ato nuk janë vlerësuar nga komisioni si duhet”

Zyra e Veteranëve pranë Qeverisë së Kosovës dhe Shoqata e Invalidëve të UÇK-së kanë qëndrime të ndryshme rreth procesit të verifikimit të invalidëve.

Udhëheqësi i i zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së pranë Qeverisë së Kosovës, Gazmend Syla thotë se kanë ardhur shumë ankesa dhe paknaqësi nga invalidët ndaj komisionit mjekësor në zyren e tij, e këto pakënaqësi ndaj këtij komisioni i shpreh edhe vet ai.

Gazmend Syla

“Rezultatet dalin qe nuk janë të kënaqshme për shkak se kemi shumë ankesa të invalidëve të cilët nuk e kanë marrë shkallën e invalidëve ashtu sic është gjendja e tyre reale, kemi mbi 100 ankesa të tilla që kanë ardhë palët në zyret tona dhe kanë shpreh paknaqësinë e tyre.
Por, unë nuk mendoj që krejt procesi është kompromentuar. Unë kam informacione që kanë kaluar njerëz që nuk është dashur të kalojnë dhe kanë mbetur pa kaluar ata që me të vërtet kanë patur plagë dhe mendoj që ky proces është paksa i kompromentuar.”

Gazmend Syla thotë se përpilimin e listave për invalid të UCK-së e ka bërë Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Vetarnëve të Luftës në kohën e Agim Çekut dhe dhe zyra që udhëheq ai tani nuk mban përgjegjësi për këto lista. Ai konfirmon rastet edhe kur janë falsifikuar çertifikatat e invalidëve dhe veteranëve por edhe vërtetimet e lëshuara nga zyra e tij.

“Kemi raste që janë falsifikuar çertifikata e veteranëve por edhe të invalidëve të UÇK-së Pastaj kemi pasur raste kur është falsifikuar edhe nënshkrimi im është dhe të gjitha këto i kemi dërguar në polici dhe hetuesi”

Indeksonline ka shkuar edhe në Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së për të marrë informacione rreth procesit të verifikimit. Udhëheqësi i kësaj shoqate, Fadil Shurdhaj thotë se kjo shoqatë ka një anëtar vëzhgues në këtë process dhe megjithë ankesat që kanë ardhur në zyren e tij, në përgjithësi ky proces po shkon në rregull.
Fadil Shurdhaj tashmë është i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për fryerje të listave të veteranëve të UÇK-së pasi që ka qenë pjesë e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve dhe Invalidëve të UÇK-së por ai thotë se nuk e ndien veten përgjegjës për këtë akuzë.

Përgjegjësinë kryesore për listat e invalidëve të UÇK-së Fadil Shurdhaj thotë se e mbajnë brigadat e UÇK-së.


“Përgjegjëse është struktura komanduese e brigadës, se pa e nënshkru komandanti i brigadës, komandanti i batalionit,ai i kompanisë dhe komandanti i togut edhe plus me pasë nënshkrimin e mjekut të luftës ata nuk kanë mundur të bëhen invalid. dmth. Është kjo strukturë e cila i jep të drejtë me shku me hy në komision mjekësor për ekzaminim. Ne nuk mundemi me i dhënë vërtetime për invalid”


Ai e arsyeton edhe shifren prej rreth 3000 kërkesa të reja për invalidë duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka pasur komision mjekësor që nga viti 2011 dhe kërkesat janë grumbulluar që nga ajo kohë.

Shurdhaj thotë se gjatë gjithë procesit të verifikimit kanë pasur përfaqësuesin e tyre atje e në shumicën e rasteve thotë ka qenë vet ai në komision.

“Kohën që kam nejt unë në komision, mua mu ka dokë se është duke shkuar çdo gjë në rregull, mjekët e luftës kanë qenë serioz që shumë njerëz kanë apliku po shumë janë rrëzu por mjekët kanë qenë në detyrën e duhur dhe shumë profesional. Shumicës së aplikantëve për pension u ka mungu dokumnetacioni i luftës dhe për mjekët ka qenë e vështirë me i vërtetu plagët e tyre”


Nga hulumtimi i Indeksonline po del se edhe në listat e invalidëve të UÇK-së ka parregullësi të mëdha besohet se edhe këto lista janë të fryera. Shumë invalidë të rremë të UÇK-së aktualisht përfitojnë pensione të majme nga shteti pa u hyrë therrë në këmbë gjatë luftës. Ndërsa invalidëve të vërtetë të UÇK-së që kanë lënë gjymtyrët e trupit nëpër fronte të luftës ky pension nuk u mjafton as për t’i kuruar plagët e tyre./Indeksonline/

PJESA E PARË, KLIKO KETU

PJESA E DYTË, KLIKO KËTU