75 Mall Live Search
13:22 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / H F

Pjetër Shala kërkon nga Supremja që çështjen ta kthehejë në rigjykim ose të korrigjohen shkeljet e pretenduara

Pjetër Shala ka bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Speciales kundër vendimit të Apelit, i cili ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim pasi shkalla e parë e kishte dënuar për krime lufte. Në kërkesën e Shalës, kërkohet rrëzimi i vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Si alternativë, Shala kërkon që të korrigjohen shkeljet e pretenduara procedurale në marrjen dhe pranimin e provave si dhe në përcaktimin e dënimit ndaj tij.

Sa i përket aspektit kronologjik, Apeli konfirmoi dënimet ndaj Shalës për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturë dhe vrasje.

Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të cilën e kishte dorëzuar më 14 tetor 2025 e që u bë publike së fundi, mbrojtja thotë se gjykimi ndaj Shalës filloi 24 vjet pas ngjarjeve të përshkruara në aktakuzë dhe kjo kohë e kaluar kaq shumë, prek në thelb përcaktimin e saktë të përgjegjësisë penale si dhe cenon integritetin gjyqësor.

Aty thuhet që dëshmitarët që mund të kishin dhënë dëshmi shfajësuese kanë vdekur prej kohësh ose ata që janë gjallë janë subjekt i dobësimit të pashmangshëm të kujtesës e cila është proces që ndodhë me kalimin e kohës.

Dhoma e pretenduar e ndalimit, sipas mbrojtjes, është shembur dhe askush s’mund të deklarojë me siguri se çfarë ndodhi brenda atyre mureve apo se çfarë mund të shihej nga dritaret e saj.

Rrjedhimisht, mbrojtja thotë se nuk ishte në gjendje që të merrte në pyetje individë që supozohet se kanë qenë të pranishëm ose të siguronte materiale që mund të kundërshtonin versionin e Prokurorisë.

Sipas mbrojtjes, asnjë udhëzim gjyqësor, vendim provash ose garanci procedurale nuk mund të korrigjojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga humbja e kujtesës, humbja e provave materiale dhe humbja e dëshmitarëve kyç.

Mbrojtja thotë se drejtësia proceduale është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme me kalimin e kohës dhe se ata janë detyruar që të përballen me pretendime të mbështetura në kujtime të dobëta dhe të patestuara apo edhe të riformësuara nga vitet.

Shpesh këto pretendime, sipas mbrojtjes, janë transmetuar nga babai te i biri, nga bashkëshorti te bashkëshortja, nga miku te miku e nga shoku te shoku, para se më në fund të merrnin formë në deklaratat e dëshmitarëve të dorëzuara mbrojtjes.

Mbrojtja përmend edhe humbjen e dëshmitarëve potencialë duke përfshirë edhe Ruzhdi Saramatin- një figurë kyçe në Kukës në vitin 1999 — kujtesa e të cilit, për shkak të kalimit të kohës, sipas mbrojtjes ka humbur përfundimisht.

Baza e dytë e kërkesës së Shalës është kundërshtimi për pranimin dhe mbështetjen në deklarata inkriminuese që vetë ai i kishe dhënë më herët konkretisht në vitet 2005, 2007, 2016 dhe 2019.

Pra, sipas mbrojtjes, Shala u mor në pyetje si i dyshuar dhe pa konsultimin ose praninë e një avokati.

“Deklaratat vetë-inkriminuese u dhanë gjatë intervistave me Prokurorinë e TPNJ-së në 2005 dhe 2007, para Policisë Federale të Belgjikës në 2016, dhe para Policisë Federale të Belgjikës dhe ZPS-së më 2019”, thuhet në dokument.

Sipas mbrojtjes, pranimi i këtyre dëshmive dhe mbështetja në to, ka shkelur të drejtat e Shalës për një gjykim të drejtë.

Mbrojtja thotë se edhe vetë Apeli pranoi se e drejta e Shalës për ndihmë juriidke ishte shkelur gjatë intervistës së vitit 2016 në Belgjikë, por kishte lejuar që këto deklarata të mbeteshin në dispozicion për shqyrtim.

“Mungesa e referencave të drejtpërdrejta ndaj tyre në arsyetimin e gjetjeve inkriminuese nuk do të thotë se deklaratat nuk patën ndikim në vlerësimin ose procesin e vendimmarrjes. Të sugjerosh të kundërtën do të ishte injorim i pasojave ligjore dhe praktike të pranimit të tyre në prova dhe deklarimit të qartë se ato ishin të disponueshme për t’u marrë në konsideratë”, thuhet në dokument.

Mbrojtja thotë se pranimi dhe marrja në konsideratë dhe/ose mbështetja në deklaratat vetë-inkriminuese të marra në mënyrë të paligjshme përbën një shkelje flagrante të së drejtës së Shalës për gjykim të drejtë.

Sipas mbrojtjes, mjeti i vetëm i përshtatshëm juridik është anulimi i dënimeve dhe urdhërimi i rigjykimit, në të cilin të gjitha deklaratat vetë-inkriminuese të marra në shkelje të të drejtave të Shalës të përjashtohen.

Mbrojtja thotë se edhe dënimi për ndalim arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar është jo i drejtë, pasi sipas tyre neni 14 i Ligjit për DHSK-në përmban një listë se çka është krim luftës në një konflikt jondërkombëtar, por nuk e përfshinë ndalimin arbitrar.

“Dënimet e vendosura mbi bazën e përgjegjësisë për PBB (JCE) dhe krimit të ndalimit arbitrar në NIAC duhet të anulohen”, thuhet në kërkesë.

Sipas mbrojtjes, u bë gabim ligjor duke e dënuar Shalën mbi bazën e një akuze të mangët e cila nuk ofronte të dhëna të mjaftueshme as për viktimat e pretenduara në këtë çështje. Ky gabim i trupit gjykues ishte pranuar edhe nga Apeli.

“Kjo mungesë specifikimi ia mohoi mbrojtjes njoftimin efektiv dhe mundësinë e sinqertë për të hetuar dhe kundërshtuar akuzat, në shkelje të Nenit 6 të KEDNJ-së dhe Nenit 30 të Kushtetutës së Kosovës. Megjithëse rasti kishte shtrirje të kufizuar dhe Prokuroria i dinte emrat përkatës, Aktakuza thjesht i referohej “ushtarëve, policëve dhe rojtarëve të paidentifikuar të UÇK-së” dhe i linte viktimat të paemërta ose të përshkruara në mënyrë të paqartë, gjë që nuk përmbushte kërkesat minimale të parashtruara në jurisprudencën ndërkombëtare. Në vend se të rregullonte njoftimin e pamjaftueshëm, Paneli i Gjykimit e zgjeroi në mënyrë të papranueshme çështjen e Prokurorisë duke i konsideruar Kryeziun dhe Limajn si anëtarë të NPB-së”, thuhet në kërkesë.

Tutje, thuhet se edhe pse aktakuza e ngarkonte Shalën për ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor dhe torturë të nëntë individëve, trupi gjykues vendosi dënime për ndalim arbitrar dhe torturë në lidhje me tetëmbëdhjetë individë.

Sipas mbrojtjes, trupi gjykues do të duhej të kërkonte ndryshim të aktakuzës për t’i përfshirë viktimat e tilla ose të përjashtonte provat përkatëse nga shqyrtimi.

Rrjedhimisht, thuhet se edhe Apeli bëri gabim në ligj duke konstatuar se dënimi për krime në lidhje me nëntë viktima shtesë nuk përbënte një akuzë të re ose një transformim radikal të çështjes së Prokurorisë kundër Shalës.

“Pranimi i provave të W04733, anëtarëve të familjes së W04733, W01448, TW4-01, TW4-10 dhe TW4-04 kërkonte kujdes për shkak të indikacioneve të forta se dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ishin kontaminuar, pasi ata kishin shkëmbyer mendime në lidhje me çështjet e rastit”, thuhet tutje në kërkesë.

Ndërsa, sa i përket bazës tjetër për vrasjen, sipas mbrojtjes, të dy shkallët më të ulëta kanë gjetur se vdekja e viktimës është shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e të tjerëve. Pra, nga indiivdi që qëlloi me armë dhe tjetri që mohoi trajtimin mjekësor. Rrjedhimisht, sipas mbrojtjes sjelljet e këtyre personave iu atribuan Shalës.

“Një arsyetim i tillë e zgjeroi në mënyrë të papërshtatshme përgjegjësinë penale, pasi veprimet e pretenduara të Shalës nuk luajtën rol integral në vrasje dhe nuk ka asnjë provë që ai kishte qëllimin e kërkuar. Në atribuimin e vrasjes planit të përbashkët, Paneli i Gjykimit u mbështet në tre elemente. Së pari, ai iu referua keqtrajtimit të të ndaluarve, por fakti që ata u rrahën — madje edhe kur u kërcënuan me armë — nuk vërteton qëllim për të vrarë. Më pas, qëllimi i viktimës [REDAKTUAR], një incident në të cilin Shala nuk ishte i pranishëm, ishte një rast i izoluar dhe i paparashikueshëm dhe nuk mund të konsiderohej në mënyrë të arsyeshme si pjesë e një plani të përbashkët. Së dyti, Paneli i Gjykimit u mbështet në kërcënimet e pretenduara, duke cituar dëshmi të patestuara se Shala një herë kërcënoi një të ndaluar. Edhe nëse pranohet, kjo mund të merret vetëm si provë e një qëllimi të drejtuar ndaj atij individi të veçantë, jo ndaj viktimës në fjalë. Së treti, Paneli i Gjykimit konkludoi se qëllimi për të vrarë u tregua nga mohimi i trajtimit mjekësor, por provat ishin të qarta se ky vendim u mor nga të tjerë, pa dijeninë, autoritetin ose përfshirjen e Shalës. Qëllimi i atyre aktorëve nuk mund t’i atribuohet atij”, thuhet në kërkesë.

Sipas mbrojtjes, përpjekjet e mëvonshme të anëtarëve të UÇK-së për të parandaluar përsëritjen e këtyre rasteve, konfirmojnë më tej që vrasja nuk ishte pjesë e një plani të përbashkët. Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se dënimi për këtë vepër ndaj Shalës duhet të anulohet.

Mbrojtja thotë se ka gabime edhe në shpalljen e dënimit, duke pretenduar se në kohën e kryerjes së veprave penale të pretenduara, ligji i zbatushëm për shqiptimin e dënimit ishte Kodi Penal i RSFJ-së i vitit 1976, i cili parashikonte një interval dënimi prej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim.

Mbrojtja thotë se ky interval ishte i detyrueshëm dhe se shkalla e parë dhe e dytë shkelën parimin e legalitetit dhe nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe në veçanti neni 44 (2) i tij, hyri në fuqi gjashtëmbëdhjetë vjet pas veprave të pretenduara dhe për rrjedhojë nuk mund të ndikonte ligjërisht në përcaktimin e kuadrit të zbatueshëm të shqiptimit të dënimit”, thuhet në kërkesë.

Po ashtu, mbrojtja thotë se trupi gjykues gaboi në ligj kur shqiptoi dënimin për ndalim arbitrar dhe torturë të tetëmbëdhjetë viktimave dhe jo nëntë sa përmenden në aktakuzë.

Në fund të dokumentit, mbrojtja ripërsëritë argumentin se trupi gjykues gaboi duke mos e konsideruar kalimin e kohës që nga ngjarjet e aktakuzës si rrethanë lehtësuese.

Për rrjedhojë, mbrojtja ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të anulohen dënimet e shqiptuara ndaj Shalës, çështja të kthehet në rigjykim para një trupi të ri gjykues ku shkeljet e identifikuara të korrigjohen ose si alternativë të merret në konsideratë çdo lehtësim tjetër që Paneli e konsideron të duhur për të siguruar mbrojtjen e legalietit dhe integritetit të procedurave.

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur më 14 korrik 2025 aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, me këtë vendim ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera.

“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.

Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anuloi vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës. Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.

Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë./BetimipërDrejtësi