Pjetër Shala nga Haga: U gjykova me falsifikime e gënjeshtra, nuk kishte asnjë provë, shpresa për drejtësi po shuhet
Në shkallën e parë u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Speciale e Hagës. E Apeli, ia uli dënimin në 13 vjet. Megjithatë, për të dyja vendimet, Pjetër Shala, ish-pjesëtar i UÇK-së, ka vërejtje të mëdha.
Komandant Ujku në një intervistë për gazetën Nacionale, nga Haga ka përmendur disa prej shkeljeve kryesore të cilat thotë se kanë qenë në procesin gjyqësor. Shala përmend prova të falsifikuara, gënjeshtra e të pavërteta. “Shpresa për drejtësi po shuhet”, thekson ai gjatë intervistës.
Shala thekson se është dënuar për një vrasje, të cilën gjyqtarët e konstatuan se nuk e ka kryer ai personalisht. Pavarësisht kësaj, ai thekson se është në proces të hartimit të ankesës për Gjykatën Supreme.
Shala flet për arrestimin e tij, kushtet në Qendrën e Paraburgimit, por që nuk u lejua të përgjigjet për kontaktet që ka me ish-krerët e tjerë të UÇK-së në Hagë.
Intervista është realizuar me shkrim, duke respektuar të gjitha kërkesat që dalin nga Udhëzuesi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
INTERVISTA:
1.Z.Shala ju u arrestuar më 16 mars 2021. A mund të na tregoni se sa e vështirë ka qenë kjo periudhë?
Kushtet në të cilat ndodhi arrestimi im ishin krejtësisht të tepruara, dhe siç pranuan vetë disa nga oficerët në vendngjarje, rezultuan plotësisht të panevojshme. Nuk kishte ndonjë arsye për t’u drejtuar armët fëmijëve të mi, dhe për t’i kërcënuar për më shumë se një orë, duke i privuar nga liria e tyre dhe duke i detyruar të qëndronin plotësisht të heshtur. Ata u traumatizuan jashtëzakonisht nga mënyra se si u trajtuan, e gjithë kjo dhunë u tregua menjëherë e panevojshme sepse, sapo policia hyri në shtëpinë time, unë nuk rezistova në asnjë mënyrë, as verbalisht, dhe u kujdesa t’u përgjigjesha kërkesave të tyre, duke shmangur çdo konflikt me policinë që ndërhynte. Unë mund të duroj shumë, por ende nuk e kam pranuar dëmin krejtësisht të panevojshëm që iu shkaktua fëmijëve të mi. Për ta, ajo ditë ua përmbysi jetën, dhe ata po vuajnë shumë ndërsa përpiqen të rimëkëmben. Kjo duhet të dihet: ky arrestim u krye në një mënyrë qëllimisht mizore.
2.Duke qenë se për një kohë keni qenë në paraburgim, a mund të përshkruani për audiencën në Kosovë, cila është një rutinë e juaj e ditës në Qendrën e Paraburgimit?
Zgjohem në orën 06:30 të mëngjesit, aktiviteti im kryesor gjatë gjithë ditë dhe mbrëmjes shoqërohet nga puna mbi çështjen time dhe përgatitja e përgjigjeve ndaj provave të paraqitura nga prokurori, dhe sot, nga gjyqtarët, të cilët e kanë dëmtuar çështjen time. Që në fillim, jam habitur nga provat e paraqitura kundër meje, nga prokurori, por edhe argumentet e nxjerra prej tyre. Nuk mund ta imagjinoni numrin e gënjeshtrave dhe të pavërtetave të përmbajtura në dosjet e paraqitura nga prokurori, deri në atë pikë sa nuk e kuptoj se si vetë prokurori nuk e ka vënë re këtë: kjo më trishton dhe e bën paraburgimin tim më të vështirë. Me ndihmën e avokatëve të mi, të cilët kam fatin t’i shoh rregullisht, kam arritur të provoj se disa nga dokumentet e paraqitura ishin falsifikime ose se prova të tjera kundër meje, ishin thjeshtë të sajuara dhe në kundërshtim me realitetin. Kjo më jep shpresë sepse dua të bej se drejtësia mund të bëhet, por këto shpresa pothuajse gjithmonë po shuhen, dhe kjo më bërë të ndjej se çdo mbrojtje mund të jetë e kotë. Jam i habitur nga fakti që shumica e informacioneve që janë konsideruar të vërteta deri më tani, nuk janë konfirmuar kurrë nga asnjë provë materiale. Me pak fjalë – gjithë kjo punë më merr pjesën më të madhe të kohës dhe energjisë çdo ditë të javës, dhe çdo të jav të muajit. Pra është një punë me kohë të plotë.
3.A keni kontakte, dhe sa, me të akuzuarit e tjerë?
Do të doja t’i përgjigjesha kësaj pyetje, por fatkeqësisht u informova nga Zyra Administrative, se sipas Udhëzuesit të Punës për Komunikimet me Mediat, unë nuk jam i lirë t’i përgjigjem kësaj pyetje.
4.Në shkallën e parë u dënuat me 18 vjet burg për krime të luftës. Kemi parë se keni pasur kundërshtime të ashpra me Gjykatën në atë kohë, si e pritët vendimin?
Kur u shpall vendimi, nuk mund ta besoja se ajo që po dëgjoja ishte e vërtetë. E pashë se po jetoja një makth dhe se po mbaronte. Ajo që u tha për dëshmitë e dhëna në seancë, ishte larg asaj që kisha dëgjuar dhe kuptuar. Gjithçka që ishte thënë në mbrojtjen time u hodh poshtë, ose madje u injorua, ndërsa pothuajse gjithçka që ishte paraqitur kundër meje u pranua ose u interpretuar si e vërtetuar, edhe kur dëshmitarë – edhe nganjëherë dëshmitarë të vet prokurorisë – dolën për të hedhur poshtë këto informacione. Nuk kishte asnjë provë materiale kundër meje dhe gjithçka u bazua në dëshminë e disa personave, deklaratat e të cilëve u kundërshtuan kryesisht. Në një moment, kjo u bë e padurueshme, dhe kuptova se ajo që po përjetoja ishte një realitet, një realitet më i keq se ç’mund të kisha imagjinuar në frikërat e mia më të këqija. Me të vërtetë ndjeva, dhe ende ndjej edhe sot, se isha viktimë e një padrejtësie të vërtetë që po më rrethonte dhe po më shtypte. Mjaft ishte mjaft, dhe kur u lexua vendimi, e kuptova se, çfarëdo që do të thosha, çfarëdo që avokatët e mi të paraqisnin dhe vërtetonin, unë duhej të isha fajtor, për gjëra që e përsëris, nuk i kam bërë. Askush nuk mund të përjetojë diçka të tillë pa reaguar, andaj reagova…
5.Gjykata e Apelit më pas e uli dënimin në 13 vjet, si e komentoni vendimin?
Dhoma e Apelit e pranoi që unë nuk jam gjykuar në përputhje me ligjin dhe procedurën. Kjo është gjë e mirë. Por jo të gjitha pasojat e këtyre mangësive janë nxjerrë, aspak kështu. Dhoma e Apelit e uli ndjeshëm dënimin, por nuk nxori asnjë përfundim nga shkeljet e tjera që pranoj, edhe pse këto lidhen drejtpërdrejt me mënyrën dhe arsyet për të cilat u shpalla fajtor. Do t’ju jap një shembull që flet vetë: nuk e kuptoj se si gjyqtarët mund të marrin në konsideratë elemente që nuk janë përmendur kurrë gjatë gjyqit, për të dënuar dikë. As prokurori nuk i ka mbështetur kurrë disa elemente, dhe aktgjykimi që më dënoi i përfshiu këto elemente për herë të parë, pa më dhënë mundësinë të shqyrtoj në kohën e duhur dhe të përgjigjem. Ky është shembull i asaj që padyshim nuk mund ta pranoj se si u shpalla fajtor. Nuk e kuptoj se si Dhoma e Apelit, e cila e pa këtë problem, nuk nxori pasoja prej tij. Në të vërtetë, në kushte të tilla, askush nuk mund të shpresojë të shpallet i pafajshëm, edhe nëse akuzohet padrejtësisht. Mendoj se kjo duhet të dihet dhe kjo është një nga arsyet pse kam ndërmend ta vazhdoj luftën time ligjore.
6.A do ta vazhdoni kundërshtimin e dënimit edhe në Gjykatën Supreme e Kushtetuese?
Po sigurisht. Kjo është plotësisht pjesë e mbrojtjes time, dhe sot e betejës time. Drejtësia duhet të vihet në vend. Kjo është edhe më e vërtetë pasi disa shkelje të tekstit ligjore dhe të rregullave procedurale që avokatët e mi denoncuan u vunë re nga Dhomat e Apelit por…pa asnjë sanksion të shpallur për disa prej këtyre shkeljeve. Në fakt, gjyqtarët e Apelit pranojnë se unë jam gjykuar pa u respektuar gjithmonë ligji, por në praktikë kjo nuk do të merrej seriozisht. Një gjë është e sigurt, ka disa pyetje reale në lidhje me mosrespektimin e ligjit dhe të kushtetutës në procedurën që është përdorur kundër meje. Është normale dhe legjitime që unë mund t’ua parashtroj këto pyetje gjyqtarëve kompetentë për këtë çështje.
7.Cilat janë vërejtjet tuaja kryesore lidhur me dënimin?
Kritikat dhe argumentet e mia janë të shumta, por unë nuk mendoj se duhet t’i ekspozoj këtu. Një nga kritikat kryesore që kam ndaj mënyrës se si jam gjykuar, lidhur me mungesën absolutisht jonormale të seancave publike dhe të vetë gjyqit. Kjo ishte aq e tepruar saqë njerëzit që dëshironin të ndiqnin gjyqin hoqën dorë, sepse numri dhe kohëzgjatja e momenteve jopublike e bënin të pamundur të kuptohej ose reflektohej mbi atë që po ndodhte dhe po thuhej në seancat. E kuptoj plotësisht që është e nevojshme të mbrohen disa dëshmitarë që mund të jenë në rrezik. Por nuk është normale që një gjyq të jetë organizuar pa qenë publiku dhe qytetarët e Kosovës në gjendje të dinë të kontrollojnë si gjykohen njerëzit.
8.Jeni dënuar për një vrasje, të cilën është konstatuar se nuk ka prova që e keni kryer direkt, por keni qenë përgjegjës për mospverim, pra për moslirimin e një viktime. Si e komentoni këtë arsyetim?
Unë nuk e kam bërë atë për të cilën akuzohem. Jam i pafajshëm për gjithçka. Por dënimi im për këtë vrasje veçanërisht i papranueshëm për mua. Në të vërtetë mënyra se si pretendohet se është kryer kjo vrasje, dhe shpjegimet në lidhje me të kanë ndryshuar plotësisht gjatë viteve. Në fund, konkluzionet e mjekëve ligjore që kanë parë dosjet janë në kundërshtim me shpjegimet që ishin dhënë më parë. Disa dëshmitarë të prokurorit, shpjeguan se, ndryshe nga sa pretendon, gjërat nuk ndodhën absolutisht ashtu siç është thënë. Elementet e disponueshme sot kanë bërë që disa gjyqtarë të shpallin të pafajshëm dy persona që ishin akuzuar për të njëjtën vrasje. Por mua, të njëjtat informacione më kanë çuar të shpallem fajtor për këtë vrasje. Dhe pjesa më e keqe është se nuk mund të shpjegoj se gjithçka që është anormale në këtë rast, sepse masat mbrojtëse të shpallura nga gjyqtarët më pengojnë të flas për këtë dhe të di të gjitha anomalitë specifike të mënyrës se si u shpalla fajtor. E gjithë kjo duhet të mbetet sekret, përndryshe rrezikoj të dënohem përsëri edhe më rëndë. Eshtë edhe më e paarsyeshme që sot të gjithë më në fund bien dakord të pranojnë se un nuk jam autor i të shtënave që përfundimisht shkaktuan vdekjen e personit të ndjerë. Më bëhet vërejtje se nuk kam organizuar kujdesin e nevojshëm për plagët e pësuara nga personi i plagosur, por në të njëjtën kohë askush, absolutisht askush, nuk pretendon se unë kam marrë pjesë në këtë vendim për të mos bërë asgjë, ose se kam qenë i pranishëm gjatë diskutimit të tij. Më falni, por nuk mund ta pranoj të gjykohem në kushte të tilla.
9.Duke qenë se tash ka një marrëveshje të Gjykatës Speciale me Belgjikën për vuajtjen e dënimit, a keni dijeni se u do ta vuani ju dënimin?
Dëshiroj të qëndroj në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ku kam ekipin tim mbrojtës dhe avokatët e mi. Në fakt, derisa procedurat të përfundojnë, kam nevojë për kontakt të rregullt për të organizuar mbrojtjen time. Procedurat e reja janë më të vërtetë shumë teknike dhe të ndërlikuara në aspektin juridik. Ato zhvillohen të gjitha dhe gjithçka që do të ndodhë në Hagë. Prandaj është normale që unë të qëndroj këtu gjtatë kësaj kohe. Të më largonin nga ekipi im mbrojtës do të ishte njësoj si të çrregullohej mbrojtja ime dhe të bëhet më e vështirë se kurrë. Do të ishte me të vërtetë e padrejtë të kontribuohej në vështirësimin e organizimit të mbrojtjes sime në këtë fazë thelbësore të procedurës.
10.A keni një mesazh për qytetarët e Kosovës?
1Po sigurisht. Iu kërkoj të gjithë në Kosovë ta doni atdheun tuaj, këtë vend që ju lejon ta gëzoni liritë që na janë mohuar për kaq shumë kohë. Unë luftova për ta bërë këtë të mundur dhe e pagova shtrenjtë, shumë shtrenjtë sot. Edhe nëse gjërat nuk janë aspak të lehta për të gjithë ju, qëndroni të bashkuar. Përçarja që ju dëmton dhe rrezikon t’ju humbasë. Mbajeni mend këtë. Populli i Kosovës ka vuajtur mjaftueshëm. Jini të lirë dhe të lumtur së bashku në këtë vend, për të cilin duhet të ndiheni krenarë. Ky është mesazhi im dhe dëshira ime më e madhe.

