75 Mall Live Search
23:32 / E Martë, 25 Mars 2025 / MSH

“Plagë në gjoks”/ Mësohet gjendja shëndetësore e dy të plagosurve në Prishtinë

Shirita të sigurisë janë vendosur nga njësitet e policisë, të cilat dolën në vendngjarje sonte me të marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Rrustem Hyseni”.

Raportohet që, si pasojë e një mosmarrëveshjeje, dy persona janë plagosur me armë zjarri.

Burime të IndeksOnline pohojnë se nga të shtënat ka mbetur i plagosur Miftar Miftari.

Ndërkaq, dorasi dyshohet të jetë Alban Gashi.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të njërit prej viktimave, nga QKUK-ja thonë se ai ka pësuar plagë të rënda.

“I plagosuri është ne gjendje të rëndë shëndetësore, plagët i ka në pjesën e gjoksit, aktualisht gjendet ne reanimacion. Për momentin është sjell vetëm një person”, ka deklaruar Agron Çitaku, përgjegjës i kujdestarisë së sontme në Emergjencën e Qendres Klinike Universitare.

Ndërkaq, viktima tjetër raportohet të ketë pësuar plagë të lehta në këmbë.

Ndërkohë, rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku njoftoi se dy persona janë të lënduar.

”Sot rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.

Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha ajo për IndeksOnline./IndeksOnline/