Plagoset një person në fshatin Mollopolc të Shtimes, i dyshuari në arrati

Një person është plagosur nga arma e zjarrit të dielën në fshatin Mollopolc të Shtimes.
Lajmin për IndeksOnlnie e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas tij, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari E.M. 32-vjeçar, gjendet në arrati.
Veseli bën të ditur se rasti ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje të mëparshme mes palëve.
“Sot, më datë 13.07.2025, rreth orës 12:00, policia ka pranuar një informatë për një rast plagosjeje me armë zjarri në fshatin Mollopolc të Shtimes.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla e stacionit policor në Shtime, hetuesit rajonalë si dhe njësia e Forenzikës Rajonale. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja.
Bazuar në të dhënat e para, dyshohet se si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëparshme, i dyshuari E.M. (32 vjeç), ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës R.P. (38 vjeç), duke e plagosur. Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Viktima ka kërkuar ndihmë në oborrin e një shtëpie afër vendit të ngjarjes, ku është hasur nga ekipi i emergjencës së QKMF-së dhe i është ofruar ndihma e parë mjekësore”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se me autorizim të prokurorit të shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit E.M., mirëpo ai nuk është hasur aty dhe aktualisht ndodhet në arrati.
“Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka thënë ai. /IndeksOnline/