Plagosja në aheng, kërkohet paraburgim për të dyshuarin që shkrepi me armë
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, sot, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit I.A., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Dyshohet që më 17 janar 2019, në fshatin Sodovinë e Qerkezëve, komuna e Vitisë, i dyshuari I.A., nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që i pajisur me armë, gjatë një ahengu familjar, në të cilin kishte të pranishëm shumë njerëz, e nxjerrë armën nga brezi dhe shkrep brenda dhomës, me ç’rast edhe ka goditur një herë me një predhë të dëmtuarin S.B., në krahun e majtë dhe në pjesën e pasme të shpatullës së majtë, i cili për shkak të lëndimeve të rënda trupore është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Regjional në Gjilan.
Gjithashtu, i dyshuari, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtë në pronësi armë zjarri, e cila edhe është sekuestruar nga policia.
Prokuroria, ka propozuar masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillim e procedurës penale, për të cilën pritet që brenda afatit ligjor të vendosë Gjykata Themelore në Gjilan.