75 Mall Live Search
09:21 / E Mërkurë, 29 Maj 2024 / MSH

Plagosja në Prizren/ Policia arreston të dyshuar, një ditë pasi i shpalli në kërkim

Të hënën, Policia e Kosovës shpalli në kërkim gjashtë persona të dyshuar për plagosjen që ndodhi një javë më parë në Gjonaj të Prizrenit.

Duke publikuar emrat dhe fotografitë e të dyshuarve, policia në Prizren kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve, për kapjen e gjashtë të dyshuarve.

Abedin Likaj, Hajdin Likaj, Shaqir Likaj, Zenel Likaj, Isuf Likaj dhe Hajdar Likaj dyshohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje e rëndë në tentative”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve” si dhe “Pjesëmarrje në rrahje”, raporton Indeksonline.

Sipas njoftimit të policisë, tre nga të dyshuarit janë arrestuar dje. Ata janë dërguar në mbajtje.

Një ditë pasi ndodhi incidenti në fjalë, më 23 maj, policia kreu bastisje në dy lokacione, në të cilat hasi dhe arrestoi njërin nga të dyshuarit.

Policia gjithashtu gjeti edhe një kamionetë që dyshohet të jetë përdorur në kryerje të veprës penale, e në të cilën u gjeten dhe konfiskuan 37 fishekë të një arme me gaz.

Më 22 maj, ne Gjonaj të Prizrenit, dy persona u sulmuan me mjete të forta dhe armë zjarri nga tetë të dyshuar. Policia deklaron se ky incident është shkaktuar për një mosmarrëveshje midis palëve. Njëri nga viktimat u lirua nga spitali pasi mori trajtim mjekësor, teksa viktima tjetër u transferua për trajtim të mëtutjeshëm./Indeksonline/