75 Mall Live Search
09:33 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / KV

Plagosje për shkak bagëtive në Nashec/ Arrestohet i dyshuari, i sekusetrohet edhe pistoleta

Është arrestuar i dyshuari për plagosjen e djeshme në Nashec të Prizrenit. A.Gutaj mori plagë nga arma e zjarrit si pasojë e një konflikti që kishte me të dyshuarin rreth bagëtive.

Konflikti dyshohet se ka nisur pasi bagëtitë ishin lëshuar në livadhe të huaja, gjë që ka shkaktuar përplasje verbale, e cila më pas ka eskaluar në përdorim të armës së zjarrit.

Gjendja e viktimës është stabile ndonëse ai vazhdon të qëndroj në Spitalin e Prizrenit duke u trajtuar.

Në raportin e policisë thuhet se rasti është raportuar të martën rreth orës 12:00 në fshatin Nashec.

“Viktima mashkull kosovar ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit pasi në drejtim të tij dyshohet se ka shtënë i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari, ndërsa arma (pistoletë) që dyshohet se është përdorur në rast me dy karikatorë është sekuestruar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërsa dje shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, i tha IndeksOnline se viktima është jashtë rrezikut për jetën.

 “Rreth orës 13:20 te ne ka ardhur një person i plagosur me armë zjarri. Ne i kemi përfunduar ekzaminimet e nevojshme dhe pacienti tashmë është dërguar në Repartin e Ortopedisë. Gjendja e tij është stabile”, kishte thënë ai.

Me rastin po merret njësiti i hetimeve rajonale./IndeksOnline/