Plagosje me armë në Prizren, i dyshuari vetëdorëzohet – Policia sekuestron një armë dhe municion

Një person është plagosur me armë zjarri pas një fjalosjeje të ndodhur në rrugën “Durrësi” në Prizren, sot rreth orës 02:00, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari Z.T. (31-vjeç) ka hapur zjarr në drejtim të viktimës Y.G. (26-vjeç), duke e plagosur atë në këmbë. Viktima është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetë, transmeton IndeksOnline.
Policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë Sektori i hetimeve dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë mbledhur prova dhe dëshmi.
I dyshuari është vetëdorëzuar, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit të dyshuar si mjet i kryerjes së veprës penale. Po ashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Një pushkë automatike AK-47, dy karikatorë, shtatë fishekë dhe një gëzhojë.
Ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, dy persona të tjerë janë në kërkim.
Me vendim të prokurorit, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës”. Hetimet për rastin po vazhdojnë./IndeksOnline/