Plagosje me armë zjarri në Durrës, qëllohet një 33-vjeçar
				Një plagosje me armë zjarri është regjistruar pasditen e djeshme në “Lagjen nr. 2” të Durrësit.
Sipas informacioneve paraprake, një i ri rreth 33 vjeç është qëlluar në këmbë, në zonën e thembrës, dhe është transportuar me makinë drejt spitalit rajonal, ku po merr ndihmën e parë mjekësore, shkruan euronews.al.
Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije se i plagosuri nuk ka pranuar të japë deklarime mbi rrethanat e ngjarjes apo identitetin e autorit të mundshëm.
Aktualisht, nuk dihen motivet dhe rrethanat e plota të incidentit, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Më 03.11.2025, rreth orës 16:20, ka shkuar për ndihmë mjekësore në urgjencën e Spitalit të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi M. D., 31 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se është dëmtuar në këmbë (në zonën e thembrës), me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta.
Është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e prokurorisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

