Plani i PSD-së, me Qeverinë apo opozitën?
Partia Socialdemokrate parasheh që të shfrytëzojë në maksimum brishtësinë politike dhe numerike të kësaj qeverie.
Madje këta të fundit këtë do ta bëjnë edhe pse në këtë kohë nuk kanë ndonjë kusht konkret në drejtim të tyre, ngjashëm me atë që patën për largimin e ministrit serb, Nenad Rikallo.
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë se tashmë në çështje diskutimi nga ana e tyre do të jetë paga minimale në Kosovë.
“Ndonëse nuk kemi tani kushte konkrete, Partia Socialdemokrate do të vazhdoi ta shfrytëzojë maksimalisht brishtësinë politike dhe numerike të kësaj qeverie, për të avancuar politika dhe për të nxitur vendime që ne i vlerësojmë pozitive për të mirën e qytetarëve. Tashmë e kemi ftuar zyrtarisht në interpelancë Kryeministrin Haradinaj për çështjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kuçi për “Indeksonline”
Sipas të njëjtës, Qeveria e Kosovës nuk ka përkrahje nga PSD lidhur me qëndrimin e saj në pushtet, por që mund të ketë vetëm për ndonjë vendim të caktuar. Tutje u shtua se PSD është i vetmi grup parlamentar opozitar që i ka dorëzuar zyrtarisht nënshkrimet për mocion për rrëzimin Qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka përkrahje nga Partia Socialdemokrate lidhur me qëndrimin e saj në pushtet. Mund të ketë për ndonjë vendim të caktuar, siç ka marrë edhe nga partitë e tjera opozitare, por jo për të qëndruar në pushtet. Ne jo vetëm që jemi ende i vetmi grup parlamentar opozitar që i ka dorëzuar zyrtarisht nënshkrimet për mocion për rrëzimin e Qeverisë, por edhe do të votojmë për rrëzimin e kësaj qeverie, që në momentin e parë që sigurohen votat në Kuvendin e Republikës, pa votat përcaktuese të Listës Serbe/Beogradit”, ka thënë zëdhënësja Kuçi.
E pyetur nëse përkrahja e PSD do të vazhdojë vetëm sa i përket taksës, Kuçi ka theksuar se partia e Shpend Ahmetit vlerëson se vendimi për çështjen e taksës 100% duhet të jetë vendim i përbashkët i cili e forcon pozicionin e Kosovës karshi Serbisë në dialogun e Brukselit.
Ndryshe ishte pikërisht Partia Socialdemokrate e cila kërkoi nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj që të bëjë largimin e ministrit të Bujqësisë në atë kohë, Nenad Rikallo në mënyrë që të votojë buxhetin e vitit 2019.
Kësisoj Haradinaj largoi Rikallon nga posti i ministrit dhe duke mundësuar votimin e buxhetit nga Grupi Parlamentar i PSD-së.
E pas largimit të Rikallos, të hënën kryeministri Haradinaj emëroi ministren e re të Bujqësisë, Dijana Ziviq./Indeksonline/