75 Mall Live Search
16:08 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / BA

Plani i ri për Ukrainën, zbulohet projekti amerikan: Zona neutrale, por pa trupa të NATO-s

SHBA po shqyrton mundësinë e krijimit të një zone të çmilitarizuar mes Rusisë dhe Ukrainës, në të cilën ajo vetë të marrë një rol drejtues.

Zona në fjalë do të monitorohej nga satelitë dhe dronë amerikanë, por në të nuk do të përfshiheshin trupa tokësore nga shtetet anëtare të NATO-s.

Në vend të trupave të tilla, që kundërshtohen nga Rusia, po merret në konsideratë prania e forcave nga vende që nuk janë pjesë e aleancës, si Arabia Saudite apo Bangladeshi.

“Në një skenar të tillë, asnjë ushtar amerikan nuk do të dislokohet në Ukrainë dhe NATO do të qëndrojë jashtë, për të mos kaluar “vijat e kuqe” të Kremlinit. Në të njëjtën kohë, Kievi do të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe sigurie me partnerë jashtë kornizës së nenit 5 të NATO-s”, thotë NBCNews.

Presidenti rus Vladimir Putin do të duhet të bjerë dakord me çdo plan për garanci sigurie për Ukrainën, dhe përfshirja e NATO-s apo edhe sugjerimi i saj është një çështje kyçe për të, ndaj po bëhen përpjekje që në plan të shmanget krejtësisht përdorimi i forcave të aleancës veri-atlanike.

Një sfidë kyçe është përcaktimi i asaj që do të konsiderohej si shkelje nga Rusia dhe si duhet të jetë reagimi. Një pjesë tjetër e bisedimeve lidhet me Detin e Zi, ku Turqia do të jetë përgjegjëse për sigurimin e kalimit të lirë të anijeve.

Për momentin, plani mbetet vetëm në letër, sepse ai nuk mund të avancojë pa miratimin e Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskysi dhe udhëheqësve të vendeve të tjera që do të ishin të përfshira në garancitë e sigurisë, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump.