16:46 / E Enjte, 07 Korrik 2022 / MSH

“Planin e LDK-së, na pruni Buxhovi të përkthym prej serbishtës”, Buxhovi i reagon ashpër kryeakademikut Kraja

Historiani dhe shkrimtari i njohur, Jusuf Buxhovi, ka komentuar në emisionin n’Demos informatën që Mehmet Kraja e kishte dhënë më herët, ku thuhej se në kohën kur është hartuar plani apo programi i LDK-së, Buxhovi ia kishte dorëzuar atij në gjuhën serbe.

Buxhovi, mes lëvdatave që i ka për Krajën, ka edhe kritika, sipas të cilit, ky i fundit është politikan i mbrapshtë.

“Kraja ka qenë krijues shumë i mirë. Si prozator Kraja është shumë i mirë, por si politikan është i mbrapshtë”, u shpreh Buxhovi.

Ai komentoi informacionin e lartpërmendur, ku tha se akuza të cilën Kraja ia kishte bërë pas 5- vjetësh Buxhovit, ishte akuzë e rëndë edhe për të, por edhe për vetë Krajën. Gjithashtu, Buxhovi beson se Kraja këtë akuzë e kishte bërë me një qëllim të caktuar.

“Pse e thashë i mbrapshtë? Është me probleme shumë të mëdha, sepse ai ka dalë me një libër pas 5 -vjete, pas 5 – vjete, merre me mend kur shkon në Tiranë e udhëheq njëfarë byroje atje, përfaqësi e Kosovës, edhe aty një Zot e di qysh është kriju problemi, dhe qysh është kyç ai atje, por s’ka rëndësi…Ai del e thotë se një libër, një anëtar i këshillit nisëmtar, ku ka qenë qaty po kurrë gati programin s’e ka kqyrë, se rrinte anash si shumë të tjerë, po s’ka rëndësi, thotë: Na pruni Buxhovi të përkthyem prej serbishtës. Jo, shiko, pas 5 -vjete është një akuzë shumë e rëndë për ne, por edhe për vetveten , sepse ai nëse e thotë atë vetveten e ka ngarkuar dyfish. E para: Si është e mundur një njeri me qenë në Këshillin nismëtar dhe paska leju që Jusuf Buxhovi t’ia sjellë programin prej Serbisë, të shkojë aty, t’ia nënshkruajë, të pranojë të hyjë në struktura, e në kryesi të LDK-së, e dreqi e i biri e pas 5 – vjete të thotë se na paska mashtru Buxhovi, na e paska pru prej Serbisë”, u shpreh i tensionuar ai.

“Kjo do të thotë se ai e ka pasë një siklet këtu, nuk mund të shpjegohet ndryshe. O ka dashtë me hjek dorë prej asaj çka ka qenë, e me ia bë qejfin dikujt se këta qenkan tradhtarë, qysh ka pasë asi sa t’dush, fjalë poshtë e përpjetë, o diçka nuk është në rregull. Ai program e ka historinë e vet. Aty janë katër pika krejt. Aty janë bërë katër pika shumë të thjeshta: Barazi, demokraci…s’ka kurrëgjë të jashtëzakonshme. Ai e ka thënë me një qëllim të caktuar, e di ai vetë pse, qysh…”, tha Buxhovi n’Demos.