Plantacionet e kanabisit në Gjilan, konfirmohet arrestimi i asamblistit të VV-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Artanës, Abdyl Gashi, ka reaguar pas lajmit për arrestimin e Rinas Zeqirit, kandidat për Asamblenë Komunale nga lista e VV-së, i cili dyshohet për përfshirje në kultivimin e bimëve narkotike.
Zeqiri, së bashku me dy persona të tjerë, është arrestuar nga Policia e Kosovës në një aksion të zhvilluar në fshatin Zhegovc të Gjilanit, ku janë zbuluar rreth 500 bimë të llojit Cannabis Sativa në katër sera, të cilat ishin në fazë të avancuar zhvillimi.
Përmes një postimi ne facebook, Abdyl Gashi theksoi se Zeqiri i ishte bashkuar listës së Vetëvendosje vetëm një muaj më parë dhe nuk ka qenë më herët pjesë e kësaj lëvizjeje.
Reagimi i plotë i Gashit:
“Të nderuar qytetarë të Artanës,
Sipas raportimeve të mediave, Rinas Zeqiri – kandidat për Asamblenë Komunale nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje – është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në kultivimin e bimëve narkotike.
Rinasi i është bashkuar listës sonë para rreth një muaji, me iniciativë personale. Nuk ka qenë më parë as aktivist e as anëtar i Lëvizjes. E kemi pranuar duke besuar se si i ri mund të sillte energji pozitive dhe kontribut në Asamble, por, për fat të keq, rasti i tij rezultoi ndryshe.
Ne mirëpresim veprimin e Policisë dhe besojmë se drejtësia do të bëjë punën e saj. Çdo veprim i jashtëligjshëm duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë.”
Sipas Policisë, përveç bimëve narkotike janë sekuestruar edhe një armë e gjatë dhe prova të tjera. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit./IndeksOnline/