“Plisat” e marrin në dorë KB Prishtina, ky është kryetari i ri
Rinor Grajqevci është emëruar kryetar i KB Prishtina.
Kryetari i “plisave” e ka marrë këtë detyrë nga Bekë Berisha, i cili sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk mund të jetë në të njëjtën kohë deputet i kuvendit dhe kryetar i KB Prishtina.
Emërimi i Grajqevcit është bërë nga vetë Berisha, teksa në dokumentin e siguruar nga IndeksOnline, thuhet:
“…autorizoj anëtarin e Bordit drejtues të KB Sigal Prishtina, z. Rinor Grajqevcin, të cilin e emëroj po ashtu edhe nën-kryetar timin, që të ushtrojë detyrat dhe funksionet e kryetarit të KB Sigal Prishtina, gjatë mungesës sime. Ky autorizim ka fuqi juridike të plotë dhe është i vlefshëm deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të KB Sigal Prishtina, në përputhje me statutin e klubit”.
Me këtë rast, Grajqevci do të ketë të gjitha të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e plota të kryetarit të klubit.
Kjo do të bëhet në përputhje të plotë me kompetencat që rrjedhin nga neni 28 i statutit të KB Sigal Prishtina, si edhe aktet e tjera normative të klubit.

Një javë më parë, emërimi i Bekë Berishës në krye të klubit kryeqytetas hasi në pakënaqësi të madhe te tifogrupi i ekipit, i cili kërkoi që ekipi të udhëhiqej nga tjetërkush.
Emërimi i Berishës po ashtu u ndesh me një vendim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duke sygjeruar se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetari i klubit basketbollistik Prishtina pasi kjo përbën konflikt interesi.
Në mbledhjen e kryesisë së klubit në mbrëmjen e së shtunës, Berisha ofroi dorëheqjen./IndeksOnline/

