75 Mall Live Search
17:19 / E Enjte, 31 Dhjetor 2020 / A. A

Plisat: Tigri e ka pranuar që i mori paratë nga xhirollogaria

Tifo-grupi i Prishtinës, “Plisat” kanë lëshuar një tjetër sqarim në faqën e tyre në Facebook, në lidhje me akuzat që kanë ngritur për ish liderin Albert Kastrati – Tigri për vjedhjen e mbi 12 mijë eurove nga xhirollogaria e grupit.

“Plisat” kanë publikuar detajisht ngjarjen në mënyrë kronologjike duke tentuar të sqarojnë përfundimisht opinionin në lidhje me këtë temë.

Ndër të tjera, tifozët e Prishtinës tregojnë se si është marrë në pyetje Kastrati për të hollat dhe ai i është përgjigjur : “Po i kam marrë, nuk t’i kam marrë ty po Plisave?!”.

Sipas tyre, Kastrati u ka borxh edhe 7365 euro, ngase 5 mijë tashmë i ka kthyer.

Ky është shkrimi i plotë i Plisave:

Sqarim i fundit lidhur me distancimin tonë.

       Këto dy ditë që lamë pas jemi vërshuar nga mediat me kërkesë që të marrim pjesë në intervista lidhur me rastin e vjedhjes së të hollave nga gjirollogaria bankare e Plisave. Që nga dita e parë e kemi parë të arsyeshme që deklarimin tonë ta bëjmë vetëm nëpërmjet faqes sonë zyrtare dhe në asnjë formë tjetër. Por, duke qenë dëshmitarë që po qarkullojnë shumë pikëpyetje në opinion, për hir të korrektësisë kemi vendosur të dalim edhe njëherë me deklaratë qe t’i zbardhim të gjitha detajet nëpërmjet këtij postimi, dhe t’i vëmë pikë kësaj teme njëherë e përgjithmonë.  

       Dorëheqja e Albert Kastratit-Tigrit nga posti i Kryetarit të Tifogrupit Plisat është bërë me vetdëshirën e tij duke i paralajmëruar të gjithë anëtarët e tifogrupit, disa javë para dorëheqjes. Si rrjedhojë grupi jonë është organizuar për zgjedhje të reja të brendshme të grupit.

      Dorëheqja e tij dhe zgjedhja e kryesisë së re janë bërë në po të njejtën ditë. Tifogrupi jonë është i regjistruar si “OJQ”.  Sipas ligjeve në fuqi, duhet të deklarohet udhëheqësia e OJQ-së. Problemi me Albert Kastratin filloi këtu. Albert Kastrati gjithmonë ka gjetur arsyetime të pandërprera për zvarritjen e procesit të kalimit të të drejtave juridike në anën tonë. “Kapaku” ishte tubimi i të hollave për ndihmë në Durrës.

      Të holla këto që i kemi mbledhur nëpërmjet vendqëndrimit tonë në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Që në mbrëmjen e 26 nëntorit 2019, mbrëmjen e tragjedisë, ne zbuluam se listat e donatorëve nuk gjindeshin në Fan Club. Në mungesë të fakteve, nuk arritëm të përfundojmë asgjë.

        Përfundoi organizimi i Plisave për Shqipëri dhe vazhdoi me fillimin e organizimit per aksionin vjetor “Ndihmo edhe Ti”. Destinimin e të hollave nga banka veçse e patëm lënë ta mendojmë mirë se në ç’mënyrë t’i dërgojmë për në Shqipëri. Askujt nuk i kishte shkuar mendja se paratë që moti ishin avulluar.

       Pas kërkesave tona të pandërprera gjithnjë hasnim në justifikime. Me ngulm disi arritëm të nxjerrim një pasqyrë 2 vjetore të llogarisë sonë bankare.

       Pas shokut që e përjetuam nga ajo çka zbuluam, gjëja e parë ishte takimi me Albertin Kastratin.

        Në pyetjet tona se: “Ku janë paret, pse nuk janë në llogari?”, ai është pergjigjur:

“Po i kam marrë, nuk t’i kam marrë ty po Plisave?!” dhe arsyetonte se ishin meritat e tij për shkak që kishte kontribuar shumë vjet për grupin.

         Ne kemi mbajtur mbledhje pas mbledhje me anëtarët e tifogrupit. Kemi ftuar edhe Albert Kastratin që të prezantohet në mbledhje dhe t’i jep sqarimet e veta, por nuk e ka pranuar. Që nga dita kur e kemi kuptuar vjedhjen, e deri me këtë deklaratë, përafërsisht kanë kaluar 4 muaj.  Albert Kastrati ka qenë shoku ynë dhe, këtë situatë kemi tentuar ta kalojmë brenda nesh(grupit) që të mos i’a dëmtojmë imazhin as atij për nder të kontributit që ka dhënë. Por, me të nuk patëm mundësi të kuptohemi.  Si grup, kemi kontaktuar me familjarët e tij. Pas tentimeve tona të vazhdueshme përmes bisedave, kemi gjetur mirëkuptimin e një anëtari të familjes së tij. 

        Pas disa takimeve, me datën 16.11.2020 në gjirollogarinë e anëtarit tonë të kryesisë është dërguar shuma prej 5,000.00 Euro(sepse llogaria e Plisave është ende në emër të Albert Kastratit).

         Neve na është premtuar se pjesa tjetër e detyrimit të Albert Kastratit ndaj Plisave dhe qytetarëve që kanë kontribuar nuk do të vonohet dhe kjo punë do të mbyllet,  por fatkeqësisht jemi refuzuar disa herë me radhë duke mos na lënë rrugë tjetër përveç distancimit nga vepra e tij.

        Mjetet janë transferuar përmes bankës. Kjo është dëshmi.

Kjo është e vërteta rreth këtij rasti dhe Albert Kastrati obligohet që t’i kthej edhe pjesën e mbetur (7,365.00 euro) të borxhit ndaj gjirollogarisë së Plisave.

Me respekt,

Kryesia

31.12.2020