18:48 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Pllakatë me shqiponjë në vendin ku u vra Murataj, njëri nga grabitësit në aeroportin e Rinasit

Grabitja e 9 prillit në aeroportin e Rinasit vijon të jetë temë e diskutimeve për banorët e zonës së Tapizës.

Hashimi, banor autokton pohon se në fshatin e tij po ndodh një fenomen i çuditshëm. Shumë banorë dyshojnë se thasët me para që u grabitën brenda pistës së Rinasit, mund të jenë fshehur ndërmjet, fshatit Tapizë dhe Niklës.

“Nuk dilsha se për ato para, ata kanë lënë jetën. Unë thosha shyqyr se shpëtuan njerëzit, kjo zonë me gjithë ata armë vetëm një i vrarë. Ku t’i linin paret? Ne këtu jemi sikur me qenë në pus. Në radhë të parë shtet s’ka, disiplinë s’ka, rregull s’ka”, tha ai.

Zhurma e armëve të zjarrit vazhdon ta shoqërojë Hashimin dhe sot e kësaj dite.

“Ishalla po qetësohet gjendja se edhe ne me thënë të drejtën atë ditë janë torturuar gratë dhe kalamajtë. Gati 200 fishekë… se kush a grabitësit, a policia? Ka plas lufta, duke u tall me njerëzit e mi. Unë i dëgjoja armët, por bëja sikur nuk dëgjoja gjë për t’i fiksuar ato”, tha ai.

Kurse Endri nuk beson shumë tek fjalët se paratë e grabitura janë fshehur në zonën e tyre.

“Ka qenë policia afërt atyre derisa ndodhi dhe shkëmbimi i zjarrit. Normalisht që s’ka lidhje me zonën tonë. Janë larguar dhe janë fjalë”, tha ai.

Grupi i xhirimit i ABC News u rikthye përsëri në vendin ku humbi jetën Admir Murataj. Në mes së pllakatës së mermertë, të vendosur aty në përkujtim të tij, qëndron një shkronjë A, që nënkupton emrin e të ndjerit.

Ky është momenti ku shoqëritë private transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë për në aeroportin e Rinasit. Si masë e shtuar për sigurinë, pas autoblindave me para, tashmë qëndron një veture policie me dy efektivë.

Pas grabitjes së dytë brenda pistës së Rinasit, forcat e Policisë Ushtarake janë pozicionuar në të gjitha pikat e nxehta, nga ku ishte thyer siguria e objektit të rëndësisë së veçantë./abcnews