Pllana: 34 milionë euro borxhe të vjetra ndaj KPMM-së

Ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale janë 34 milionë euro borxh të evidentuara, ka thënë kështu kryesuesja e bordit të këtij institucioni, Selvete Grajqevci-Pllana. Para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ajo ka thënë se këto janë borxhe të vjetra ndërsa ka theksuar se sfida më e madhe e KPMM-së mbetën kompanitë që i shfrytëzojnë ilegalisht mineralet e Kosovës.
Grajqevci-Pllana ka thënë se gjysma e borxheve janë nga Trepça.
“Të çështja e kthimit të borxheve, ne bordi i ri jemi ulur disa herë e kemi shqyrtuar çështjen e kthimit të borxheve sepse është çështje që na brengosë shumë. Në bazë të dhënave që kemi nga departamenti i financave, para dy-tre ditësh i kemi marrë të dhënat, janë 34 milionë borxhe të evidentuara, borxhe të vjetra, prej tyre gjysma janë Trepça, si pjesa veriore si pjesa Stantërgu, Artana, kanë borxhe në KPMM. Lidhur me këtë çështje e kemi njoftuar edhe qeverinë, edhe ndërmarrjet por ende nuk kemi ndonjë lëvizje, por të evidentuara i kemi këto”, ka thënë ajo.
Ndërsa duke folur për kompanitë që veprojnë ilegalisht, ajo ka thënë se dënimet që shqiptohen nga gjykatat janë qesharake.
“Problemin më të madh, sfidën më të madhe që KPMM e ka, e ka me kompanitë që veprojnë ilegalisht, shfrytëzojnë mineralet e Kosovës ilegalisht dhe dënimet që ipen prej gjykatave janë shumë qesharake, 200 euro, 300 euro, nuk është masë që jep rezultate për me i ndëshku ato kompani. Kemi tentu disa herë dhe unë kam qenë prezent ,e bë një marrëveshje me ministren e infrastrukturës për mos me i dhënë tenderë ndërmarrjeve që kanë veprime ilegale, që nuk kanë licenca nga KPMM. Por nuk kemi arrit një marrëveshje të duhur për me ua ndërpre aktivitetin minerar, mos me marrë tenderë ata duke i shfrytëzu mineralet në mënyrë të kundërligjshme”, ka shtuar ajo.
Grajqevci-Pllana ka deklaruar se KPMM nuk lëshon licenca nëse një ndërmarrje ka borxh në ATK.
“Me Administratën Tatimore jemi në bisedime që ndërmarrjet që kanë borxhe edhe atje të ndëshkohen edhe prej KPMM-së edhe prej aty. Ne nuk lëshojmë licenca sot nëse ndërmarrja e bjen vërtetimin se ka borxhe në Administratë Tatimor, po mundohemi me bë ndërlidhjen e të gjitha institucioneve në sektorin minerar”, ka thënë ajo.