16:31 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / k.v

Pllana i SBASHK-ut: Kurti po hakmerret ndaj mësimdhënësve (Video)

Nënkryetari i SBASHK-ut për Komunën e Prishtinës, Ahmet Pllana, në një intervistë për IndeksOnline është shprehur i mllefosur ndaj Qeverisë për mosekzekutimin e pagave. Ai tha se ende janë në pritje dhe se nëse nuk dalin pagat atëherë pritet vendimi i radhës nga Sindikata.

“Ne kemi pritur Qeverinë. Afati i fundit për ekzekutimin e pagave që është dashur me datë 1 tetor t’i procedojë në llogaritë e mësimdhënësve, mirëpo atë nuk e bëri dhe sot është data 5 tetor që Qeveria është dashur të reflektojë, të ekzekutojë pagat. Kur dihet mirë se ne kemi hyrë në grevë, është e drejtë e secilit më kushtetutë dhe ligj që të shkojë në grevë. Greva ka qenë masa e fundit, mirëpo Qeveria nuk ka reflektuar asnjëherë, të dali para masës dhe të deklarojë diçka, me na thënë diçka. Vetëm ka bërë injorime të ndryshme, etiketime të ndryshme, fyerje të ndryshme të mësimdhënësve dhe kjo ka qenë kryesisht përgjigje e Qeverisë për neve”, ka deklaruar Pllana për IndeksOnline.

Sipas tij, vendimi është i padrejtë pasi pjesa tjetër e sektorit publik i ka marrë pagat, vetëm mësimdhënësit jo. Ai kërkoi nga Qeveria dhe Ministri i Financave që sa më parë të behët ekzekutimi i pagave.

“Ne e kemi pritur sot dhe do të presim ende, që të reflektojë Qeveria. I bëjë apel Qeverisë, Ministrit të Financave që të sa më parë të ekzekutoi pagat, për arsye së këtu është bërë një ndarje. BSK-ja e ka shpallur grevën për të gjithë, atyre ju është bërë ekzekutimi i pagave ndërsa mësimdhënësve jo. Kjo po shihet një lloj hakmarrje ndaj mësimdhënësit. Kjo është një fyerje shumë e madhe, një dëmtim shumë i madh mësimdhënësve. Në vend që Ministria e Arsimit t’i falënderojë edhe SBASHK-un dhe mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, për pezullimin e grevës dhe fillimin e vitit të mbarë, ai shkon tash me tensione edhe më të mëdha, duke i fyer mësimdhënësit dhe duke ia ndalur edhe kafshatën e gojës”, theksoi ai.

Pllana ka shtuar se nuk mund të këtë dialog të mirëfilltë me qasjen e Ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, karshi sindikalistëve.

“Me këtë gjuhë të Ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Ministrisë së Arsimit nuk mund të krijojë dialogë social, nuk mundemi të ulemi në tavolinë, mjaftë i kanë etiketuar e fyer mësimdhënësit. Mësimdhënësit e treguan vetëm dhe filluan procesin mësimor, kemi punuar edhe në koha më të vështira, por nuk ka ardhur deri të kjo që ka ardhur deri më sot, kemi punuar në kohën e okupimit, këta mësimdhënës kemi qenë në kohën e okupimit, kemi punuar me pare dhe pa pare”, shtoi Pllana.

Ai për IndeksOnline tha se sektori arsimor është në gjendje shumë të rendë dhe se mos ekzekutimi i pagave do të dërgojë deri në tensionim të situatës.

“Mësimdhënësit janë në gjendje shumë të rendë, e marrin një pagë prej 420 eurove. Si do të mbajë familjen më një rrogë prej 420 eurove. Kjo është e pakuptimtë, prandaj bëjë apel të Ministria e Financave që sa më parë ti ekzekutoi pagat dhe mos të vijë deri tek një situatë edhe më e rendë”, ka thënë Pllana.

Kujtojmë, se greva është pezulluar deri në janar të vitit të ardhshëm./IndeksOnline/