16:42 / E Diele, 10 Shkurt 2019 / indeksADMonline

“Plotësimi i pikave të vëna nga Veseli për taksën, më lehtë të arritshme se njohja që po kërkon Haradinaj”

Ditë më parë, i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli propozoi idenë e tij për pezullimin e taksës 100% të vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës, për 120 ditë.

Veseli në letrën e tij për pezullimin e taksës përmendi një sërë masash që sipas tij do të duhej të ndërmerrnin këto dy vende, nëse nuk duan që pas 120 ditësh të përballen me pasoja edhe më të mëdha se ato që po dalin nga vendosja e taksës.

Propozimin e tij me shkrim, Veseli u dorëzoi liderëve të koalicionit si dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Dokumenti në fjalë ishte 9 faqe dhe parashihte kushtet për pezullimin e taksës, masat gjatë periudhës së pezullimit, si dhe rikthimin e taksës 100% dhe reciprocitetin e plotë me Serbinë si dhe Bosnje Hercegovinën.

Lidhur me këtë propozim të Veselit, Indeksonline ka kontaktuar analistin, Donik Sallova.

Sallova ka cilësuar se pikat e vëna si kushte nga Veseli janë më lehtë të arritshme se sa njohja direkte që po kërkon kryeministri Ramush Haradinaj.

“Madje, plotësimi i këtyre pikave veç e qon Serbinë më afër  njohjes së Kosovë dhe janë kërkesa plotësimi i të cilave është nën frymën europiane dhe mund ta kenë mbështetjen e Bashkimit Evropian. Pra, pak a shumë këto janë kushte për aspekte për të cilat edhe u vendos taksa, prandaj nëse ato plotësohen, në njëfarë mënyrë është arritur edhe qëllimi i taksës”, ka thënë Sallova.

Tutje ai shtoi se edhe kryeministri Haradinaj e di që njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia përmes taksës dhe heqjen e vetos ruse në OKB nuk e arrin dot.

“Por taksa duhet të arrijë efekte konkrete që veprimtaritë ekonomike të Kosovës kundrejt Serbisë t’i bëjë të pavarura dhe reciproke, siç janë përmendur në listën e Veselit”, ka përfunduar Sallova.

Duhet përkujtuar që kryeministri Haradinaj, vazhdon të jetë i bindur se taksa do të qëndrojë deri në njohje të Serbisë, përderisa Veseli propozoi pezullimin e saj, por me vendosjen e disa kushteve që duhen plotësuar brenda 120 ditësh pezullimi.

Këto janë kushtet e pezullimit të taksës prej 120 ditësh, që parasheh dokumenti i Veselit:

Ndaj Serbisë: Rekomandohet pezullimi i përkohshëm i masës tarifore doganore për 120 ditë, duke nisur nga data 1 shkurt 2019. Ky pezullim do të shërbejë si afat kohor për Serbinë, në mënyrë që brenda kësaj periudhe të përmbushë obligimet që këtij shteti i rrjedhin prej Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe Marrëveshjeve të arritura nëpërmjet Dialogut të Brukselit. Brenda këtij afati kohor prej 120 ditësh të pezullimit të përkohshëm, kërkohet nga Serbia që të ndryshojë pozicionin e saj armiqësor, dhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve dhe përpjekjeve për të siguruar një fqinjësi të mirë, të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

1. Të zbatojë marrëveshjen për vendkalimet e përbashkëta në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe të tregohet bashkëpunuese në shkëmbimin e informatave dhe verifikimeve ndër-kufitare për qëllime të sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve.

2. Të pranojë dhe njohë të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritet e Republikës së Kosovës.

3. Të njohë barkodin dhe banderolat në produktet e Kosovës.

4. Dogana e Serbisë të pushojë njëherë e mirë përdorimin e vulave të strukturave paralele serbe në Kosovë, dhe të respektojë plotësisht angazhimin e marrë në marrëveshjen e arritur më 2 shtator 2011 në Bruksel për njohjen reciproke të vulave, si dhe obligimin që rrjedh brenda CEFTA-s – ku palët kanë rënë dakord që të përdorin vetëm vulat e konfirmuara për të gjithë anëtarët e kësaj organizate.

5. Të njohë targat e automjeteve të qytetarëve të Kosovës, si dhe dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.

6. Të eliminohen barrierat, standardet e dyfishta, ose keqtrajtimet që u bëhen pjesëtarëve të diasporës kosovare, të cilët kalojnë transit përmes Serbisë.

7. Të bëhet e mundur për udhëtarë të vendeve të treta që të hyjnë transit përmes Kosovës për në Serbi.

8. Në frymën e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona sovrane dhe në përputhje me angazhimet e marra përsipër në marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, Serbia duhet t’u japë fund përpjekjeve për të penguar dhe dëmtuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

9. Të zbatohen Marrëveshjet e Brukselit për rivitalizimin e urës kryesore të Ibrit dhe rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, duke liruar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në të dy pjesët e qytetit.

10. Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Energjinë.

Ndaj Bosnje e Hercegovinës: Rekomandohet pezullimi i përkohshëm i masës tarifore doganore për 120 ditë, duke nisur nga data 1 shkurt 2019. Ky pezullim do të shërbejë si afat kohor për Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që brenda kësaj periudhe të përmbushë obligimet që këtij shteti i rrjedhin prej Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe të dëshmojë vullnet të sinqertë për të kultivuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Republikën e Kosovës. Gjatë këtij afati pritet që Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

1. Prej këtij shteti kërkohet që të njihen dokumentet tona të identifikimit dhe që të hiqen barrierat për qarkullimin e qytetarëve e biznesmenëve kosovarë në të dyja anët e kufirit. Kosova do të bëjë të njëjtin veprim reciprok menjëherë pas.

2. Angazhimi i Bosnjës dhe Hercegovinës që mos ta pengojë Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke nisur nga lejimi i përfshirjes së saj në Kartën e Adriatikut dhe mos-pengimin në të tjera nisma rajonale e ndërkombëtare.

3. Të pranojë dhe njohë të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.

4. Të njohë barkodin dhe banderolat në produktet e Kosovës.

5. Dogana e Serbisë të pushojë njëherë e mirë përdorimin e vulave të strukturave paralele serbe në Kosovë, dhe të respektojë plotësisht angazhimin e marrë në marrëveshjen e arritur më 2 shtator 2011 në Bruksel për njohjen reciproke të vulave, si dhe obligimin që rrjedh brenda CEFTA-s – ku palët kanë rënë dakord që të përdorin vetëm vulat e konfirmuara për të gjithë anëtarët e kësaj organizate.

6. Të njohë targat e automjeteve të qytetarëve të Kosovës, si dhe të dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.

7. Autoritetet doganore të Bosnjës dhe Hercegovinës të dëshmojnë vullnet bashkëpunimi në shkëmbimin e informatave dhe verifikimeve ndër-kufitare me autoritetet shtetërore kosovare për qëllime të sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve.

Këto janë masat gjatë periudhës së pezullimit të taksës, që parasheh dokumenti i Veselit:

Ndërkohë që bëhet pezullimi i përkohshëm i tarifës doganore, autoritetet doganore do të autorizohen që të veprojnë në përputhje me interesin dhe ligjet e shtetit të Kosovës dhe normave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare sa u përket mallrave që do të hyjnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo do të thotë se:

– Do të lejohen të hyjnë vetëm mallrat që importohen ose ri-eksportohen drejt Kosovës, nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat shoqërohen me dokumente të Republikës së Kosovës dhe i referohen me emrin e saj kushtetues.

– Nga Serbia dhe Bonja e Hercegovina do të lejohen të hyjnë vetëm ato produkte që në etiketat e tyre paraqesin emrin e prodhuesit, importuesit-distributorit, adresën dhe emrin e qytetit, shtetit eksportues dhe shtetit pranues të mallit sipas emrit Kushtetues së Republikës së Kosovës.

– Deklarata eksportuese dhe ri-eksportuese për mallrat për destinacion final për Republikën e Kosovës, që vijnë nga këto dy shtete, duhet të respektojnë emrin kushtetues të Republikës së Kosovës.

– Nuk do të lejohen që të eksportohen ose ri-eksportohen drejt Kosovë mallra që shoqërohen me çfarëdo dokumenti fyes, provokues dhe anti-kushtetues për Republikën e Kosovës.

– Mallrat që eksportohen ose ri-eksportohen drejt Kosovës, për t’u lejuar të hyjnë – duhet të përmbajnë përshkrimin e produktit në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Këto janë masat pas skadimit të afatit prej 120 ditësh, nëse nuk respektohen kërkesat, që parasheh dokumenti i Veselit:

Nëse Republika e Serbisë dhe Republika e Bosnje e Hercegovinës, pas kalimit të afatit prej 120 ditësh të pezullimit të përkohshëm, nuk ndërmarrin veprimet e sipërpërmendura, atëherë Republika e Kosovës jo vetëm që do të vazhdojë tarifën doganore prej 100%, por do të vendosë masa të plota të reciprocitetit. Kjo do të thotë që:

– Nëse Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, brenda afatit prej 120 ditësh, nuk pranojnë të njohin të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritet e Republikës së Kosovës, atëherë edhe Republika e Kosovës nuk do t’i njohë këto dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

– Nëse Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, brenda afatit prej 120 ditësh, nuk pranojnë të njohin targat e automjeteve të Republikës së Kosovës, atëherë edhe Republika e Kosovës do të vendosë masat e njëjta për automjetet e këtyre dy shteteve, duke i detyruar që të përdorin targat “provuese”.

– Nëse Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, brenda afatit prej 120 ditësh, nuk njohin të gjitha dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Kosova për qytetarët e saj dhe nuk tërheqin nga përdorimi format e evidentimit, sipas modelit “entry-exit form”, atëherë edhe Republika e Kosovës do të vendosë masat e njëjta për qytetarët nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, duke vendosur gjithashtu modelin “entry-exit form”.