75 Mall Live Search
11:41 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / OSH

“Po bëjnë gjithçka për të më shpëtuar”, çfarë shkruante mjeku shqiptar pak ditë para se Covid t’i merrte jetën

Mjeku i njohur shqiptar, Ilirjan Draçi, ka humbur sot betejën me koronavirusin. Draçi ishte i shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku përmes një postimi në rrjetet sociale vetëm 9 ditë më parë, tregonte luftën për të mposhtur sëmundjen.

“Vazhdon beteja tepër e veshtirë me virusin. Të gjithë kolegë, infermierë, sanitarë, miq dhe shokë, po bëjnë gjithcka për të ma shpëtuar jetën. Mbani maska, ruajeni distancën, lajini duart. Një gabim i vogël, ju kushton jetën. Beteja vazhdon……”, shkruante Draçi në postimin e tij në rrjetet sociale, që duket se do të jetë i fundit.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka lënë të shokuar familjarë e miq të tij, por pa dyshim dhe të gjithë qytetarëve që u ka shërbyer në gjithë këto vite. E para që reagoi për ndarjen nga jeta të Draçit ishte ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shkruante:

Dr. Ilirjan Draçi ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me radhë, si mjek dhe drejtues në Poliklinikën e specialiteteve nr.1. Dr. Ilirjani nuk ia doli në betejën me virusin e pabesë, me gjithë përpjekjet e mëdha të kolegëve në spitalin Infektiv.

E trishtuar nga kjo humbje e madhe për të gjithë ne. Do na mungojë shumë energjia e pashtershme dhe shpirti i sakrificës të një mjeku model, qytetari të mirë dhe drejtuesi të zot.

U prehsh në paqe dr. Draçi! Ne do ta fitojmë luftën ndaj këtij armiku të padukshëm të gjithë #bashkë!

Draçi ka qenë mjek patolog, gastrohepatolog, endoscopist në Poliklinikën numër 1, i njohur ndryshe dhe si Spitali iranian, në Tiranë.