Po drejtonte skuadrën kundër Mlladostit, ndërron jetë në fushë trajneri boshnjak
				Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin serb. Trajneri i Radniçkit nga Kragujevci, Mladen Zhizhoviç, ka ndërruar jetë pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë ndeshjes kundër Mlladostit në Luçan.
Sipas mediave serbe, 44-vjeçarit i është përkeqësuar gjendja në mes të pjesës së parë, duke u rrëzuar pranë vijës anësore. Ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa lojtarët dhe stafi i të dy ekipeve kanë kërkuar me panik ndihmën mjekësore.
Ekipi i ndihmës së shpejtë ka mbërritur brenda pak minutash në fushë, ku trajneri është vendosur në barrelë dhe është transportuar urgjentisht në spital, ndërkohë që publiku duartrokiste në shenjë mbështetje për të, shkruan Kerlacki, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, pas rreth 15 minutash, spitali ka konfirmuar lajmin se Mladen Zhizhoviç ka ndërruar jetë.
Zhizhoviç kishte marrë drejtimin e Radniçkit vetëm rreth dhjetë ditë më parë, duke zëvendësuar trajnerin Aleksandar Lukoviç. Ai njihej si një nga trajnerët me përvojë në Superligën serbe.

