Po i ngordhin lopët, fermeri kosovar fajëson kompaninë “Drena” si ndërmjetësuese

Fermerit Edon Gashi, në fshatin Llabjan të Novobërdës, po i ngordhin lopët e importuara përmes kompanisë “Drena”.
Gashi thotë se 13 krerë lopë deri tani i kanë ngordhur për shkak të sëmundjes së thundrës.
Ai po fajëson kompaninë ndërmjetësuese “Drena” për ngordhjen e tyre.
Por se çfarë përgjigje morën nga kompania “Drena”, tregon babai i Edonit, bashkethemelues i fermës.
“Më kanë thanë s’kemi çka me ba. Ështe sëmundje që nuk kompenzohet. Edhe dikujt ka Peja e Isotgu i kanë ngordhë 70 krerë lopë dhe s’është ba nami. Kur i thashë që po ngordhin për ditë, më tha që është nafaka jote. Para tre dite e kam thirr drejtorin, më ka thënë që është mirë me ia ndrru vendin. Më tha bone një kërkesë për kompenzim, njo dërgo te na, njo në komunën tende, njo në ministri. Unë jam i habitur me përgjigjen e tyre. Problemin e kam tek importi i lopëve” ka thënë ai.
Sipas kompanisë, lopët që kanë probleme janë ato që ishin në fermë, para se t’i blente lopët nga Çekia.
“Nuk është e vërtetë që lopët janë blerë nga Drena mirëpo Drena vetëm ka kryer ndërmjetësimin e blerjes së lopëve për fermerin në fjalë.
Fermeri në fjalë është njëkohësisht edhe mik i kompanisë importuese, në fakt ata njihen dhe janë miq para se ne t’i njohim të dy palët. Lopët që kanë pasur probleme janë nga ato që kanë qenë në fermën e tij para se t’i merrte lopët e ndërmjetësuara nga ne. Të tjerët nuk kanë pasur probleme të këtij theksi. Në fakt fermeri në fjalë vazhdimisht ka kërkuar edhe lopë të tjera por për shkak të pandemisë nuk kemi vazhduar tutje.
Problemet i ka paraqitur pas tetë muajsh dhe se sëmundja në fjalë nuk mund të mos jetë e dukshme mbi tetë muaj. Dhe për këtë është dashur të njoftohet Agjensia e veterinës dhe ushqimit sepse ata kanë kryer kontrollë në hyrje në Kosovë. Për këtë mund të informoheni edhe tek Agjensioni”, thuhet në sqarimin e “Drena-s”.
