Po luan në tri pozita, Bekim Maliqi bën dallimin e futbollit të Shqipërisë me atë të Kosovës

Futbollisti nga Podujeva, Bekim Maliqi ka pasur një gjysmësezon fantastik në Superioren e Shqipërisë me skuadrën e KF Erzenit.
22-vjeçari në një interviste për Indeksonline tregon rreth formës së tij dhe bën dallimin mes futbollit në Shqipëri dhe Kosovë.
“Sezoni deri tani ka shkuar shumë mirë. Trajneri më ka përdorur edhe si mesfushor krahu, ku i kam shënuar katër gola dhe i kam bërë dy asiste. Po ashtu kam luajtur edhe si mbrojtës krahu dhe mesfushor qendror. Si ekip kemi luajtur shumë mirë, por na ka munguar fati sepse vërtetë kemi merituar më shumë, ku në 80 për qind të ndeshjeve i kemi dominuar bindshëm”, u shpreh fillimisht futbollisti kosovar

Bekim Maliqi para se të transferohej te skuadra e Erzenit, më parë ka luajtur për disa ekipe në Kosovë, përfshi: Llapin, Feronikelin 74 dhe Besën.
Ai bën dallimin mes futbollit në Shqipëri dhe atij në Kosovë, duke thënë se atje ku luan është më ndryshe aspekti infrastrukturor.
“Në Shqipëri infrastruktura është më e mirë, po ashtu edhe taktikisht luhet më ndryshe. Për ne futbollistët është më lehtë me luajt lojën tonë”, vazhdoi tutje për Indeksonline futbollisti i Erzenit

Maliqi nuk e ka ndërmend të largohet njëherë nga Erzeni, pasi që dëshiron ta respektoj kontratën me klubin shqiptar.
“Normal si çdo lojtar kemi synim ngritjen në karrierë edhe me arrit në Europë. Kisha preferu ndonjë kampionat më të mirë teknikisht”, përfundoi Bekim Maliqi.
Duke parë formën fantastike që ka pasur në këtë gjysmë-sezon, faqja e njohur Transfermarkt e ka vlerësuar futbollistin me vlerë deri në 225 mijë euro./Indeksonline/