75 Mall Live Search
09:30 / E Shtunë, 29 Qershor 2024 / A. M.

“Po mendohet që i kemi vendosur kushte Serbisë, por në fakt i kemi vendosur kushte vetes nga politika e Kurtit”, thotë Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka komentuar tri kushtet e kryeministrit Albin Kurti, për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Haziri tha se sot në Kosovë mendohet që i janë vendosur kushte për Serbinë, por sipas tij, Kosova i ka vendosur kushte vetes nga politika e Kurtit.

“Kosova është në kushte dhe Kurti po zbaton politikë të kushtëzimit në emër të Kosovës. Kjo mendësi administrimi në emër të Kosovës pardje në Bruksel u konfirmua në emër të politikave për konsum të brendshëm në Kosovë e jo ndaj Serbisë”.

“Kosova duhet të negociojë me BE-në për procesin e normalizimit, ku Serbia nuk do të ketë fuqi ta dëmtojë progresin evropian të Kosovës. Po ndodh e kundërta dhe tani kushtëzimet e varësia do të na mbajë të kushtëzuar neve e jo Serbinë”, shkroi Haziri.

Më tej, Haziri tha se Kosova s’po anëtarësohet në Këshillin e EVropës pasi tha se është kuzhtëzim me vendimin e qeverisë për draft-statutin për Asociacionin.

“Aplikacioni ynë në BE ka dy vite që rri i mbyllur. Kërkesa prej 932 milionë euro nuk është hapur, po ashtu, mosftesa e Kosovës si e vetme nga Ballkani perëndimor në Komitetin për kohezion socio-ekonomik në BE-së dhe në fund propozimi për largimin e shkallëzuar të masave ndëshkuese ndaj Kosovë”.

“Serbia ka qenë e kushtëzuar nga partnerët e Kosovës me bashkëpunimin në rastin e sulmit terrorist në Manastirin e Banjska. Ata kanë edhe dy kushte tjera nga BE, NATO dhe SHBA. Kurti vetëm ka përsërit diçka që partnerët tanë kanë kërkuar nga Serbia por nga ne kanë kërkuar konstruktivitet, pragmatizëm dhe veprim konkret e të pakthyeshëm”, shkroi Haziri.