10:50 / E Mërkurë, 10 Mars 2021 / OSH

Po ndërtohet kablloja më e gjatë nënujore e energjisë në botë

Qiproja, Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare për të ndërtuar kabllon më të gjatë dhe më të thellë nënujore të energjisë në botë, gjatë ditës së djeshme.

Projekti, do të kushtojë rreth 900 milionë euro dhe kablloja do të drejtohet përgjatë fundit të detit Mesdhe dhe do të lidhë rrjetet e energjisë elektrike të tre vendeve, transmeton IndeksOnline.

Pasi nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kolegët në Nikosia, ministri izraelit i Energjisë Juval Steinitz, tha se projekti i quajtur “Eurasian interconnector”, do të siguronte një burim rezervë të energjisë në rrethana emergjente.

Ministrja qipriote e Energjisë, Natasa Pilides, tha se ky ishte “një hap vendimtar drejt përfundimit të izolimit energjetik të ishullit dhe kështu varësisë sonë nga karburantet e rënda”.

Sipas Ministrisë izraelite të Energjisë, kablloja do të ketë një kapacitet prej 1.000 deri në 2.000 megavatë. Ai pritet të përfundojë deri në vitin 2024.

Me një gjatësi prej rreth 1.500 kilometrash dhe një thellësi maksimale prej 2.700 metrash, do të jetë kablloja elektrike më e gjatë nënujore dhe më e thellë i ndërtuar ndonjëherë, tha Ministria Izraelite e Energjisë në një deklaratë.

Ajo do të mbulojë tri pjesë të Mesdheut, d.m.th. rreth 310 kilometra midis Izraelit dhe Qipros, 900 kilometra midis Qipros dhe Kretës dhe 310 kilometra shtesë midis Kretës dhe Greqisë kontinentale, sipas Reutersit.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian e njohu këtë si një projekt me interes të përbashkët, duke deklaruar se ishte i gatshëm ta financonte pjesërisht.