“Po rrethohemi nga ANTIFA!” Trump urdhëron vendosjen e ushtrisë në Portland

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e personelit ushtarak në qytetin e Portlandit në shtetin veriperëndimor të Oregonit.
“Po i drejtoj Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të vendosë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta dhe të gjitha objektet tona të ICE-së”, shkroi Trump në rrjetin e tij online Truth Social, duke iu referuar agjencisë së zbatimit të ligjit për imigracionin ICE, e cila është “nën rrethim nga ANTIFA dhe terroristë të tjerë vendas”, përcjell A2 CNN.
Ka pasur protesta të shumta kundër objektit ICE në Portland, disa prej të cilave janë shndërruar në të dhunshme. Disa oficerë federalë u plagosën dhe disa demonstrues janë akuzuar për sulm.
Urdhri u lëshua me kërkesë të Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, vazhdoi Trump. “Unë gjithashtu autorizoj përdorimin e forcës së plotë nëse është e nevojshme”, deklaroi Trump, pa dhënë hollësi se çfarë mund të nënkuptojë kjo.
Vendosja e ushtrisë dhe Gardës Kombëtare brenda vendit është pjesë e agjendës radikale të politikës së brendshme të Trump, të cilën ai e shpalli gjatë fushatës së tij. Zyrtarisht, republikani e justifikon vendosjen me krimin e supozuar të përhapur dhe mbingarkesën e autoriteteve lokale. Kritikët e akuzojnë Trump-in se po e ekzagjeron shkallën e krimit me qëllim që të justifikojë një stil gjithnjë e më autoritar qeverisjeje, raporton A2 CNN.
“Nuk ka kryengritje, nuk ka kërcënim për sigurinë kombëtare dhe nuk ka arsye për të vendosur ushtrinë në qytetin tonë më të madh”, tha guvernatorja demokrate e Oregonit, Tina Kotek. Urdhri i presidentit bie ndesh me statistikat zyrtare të krimit. Sipas tyre, krimi i dhunshëm në Portland ka rënë në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, me numrin e vrasjeve që ka rënë me 51 përqind, shkruan A2 CNN.
Në javët e fundit, Trump kishte kërcënuar të vendoste Gardën Kombëtare në fortesat e Partisë Demokratike si Çikago , Nju Jorku dhe Nju Orlinsi. Më 11 gusht, ai urdhëroi trupat e Gardës Kombëtare të shkonin në kryeqytet, Uashington, dhe e vendosi policinë lokale nën kontrollin federal. Në qershor, Trump mobilizoi Gardën Kombëtare dhe Marinsat në metropolin e Kalifornisë, Los Anxhelos, për t’i dhënë fund protestave kundër politikave të tij të imigracionit .